Një rimë për Albin Kurtin

Prishtinë | 23 Tet 2017 | 15:58 | Nga

Kur njeriu çohet kundra vetvetes askush nuk mund ta shpëtojë.

Kur ndodh që organizmi i njeriut ta luftojë veten përbrenda dhe t’i sulmojë organet vitale dhe ta bëjë gjakun-ujë, derisa ta shkatërrojë veten, mjekësia ende nuk i ka kuptuar ato sulme auto-imune që organizmi ia bën vetvetes, por kur njeriu, çohet dhe punon vet, kundër vetes, me mendje dhe me zemër, atëherë përgjigjen mund ta kërkojmë në kokën e tij.

Nuk ka armik më të madh të njeriut sesa mendjemadhësia dhe arroganca, krenia dhe sqima.

Askush kurrë prej se u krijua njerëzimi nuk ka pasur arsye të jetë mendjemadh dhe arrogant.
Askush, kurrë, prej se të vërtetën e gjejmë nëpër libra, nuk ka ndodhur që t’ia ketë parë hajrin arrogancës.

Shqiptarët kanë dëshmuar se mbi çdo të keqe, e urrejnë arrogancën dhe i urrejnë ata që u shesin mend.
Shqiptarëve hiç s’bën me ju shitë mend.

Arrogantët dhe mendjemëdhenjtë, snobistat dhe krenarët, atyre ua kemi parë shpinën kur përgjithmonë u kemi thënë lamtumirë.

Nëse i analizon tiparet e të gjithë atyre që dështuan në politikën shqiptare, të gjithë janë tipa që u mungon njerëzia, mirësia, modestia dhe sinqeriteti. Të gjithë ata janë mendjemëdhenjë, krenarë, arrogantë dhe mburravecë.

Rexhep Qosja, Nexhat Daci, Veton Surroi, Edita Tahiri (etj.), duhet të të bien ndër mend sa herë që të shkon mendja t’i shesësh mend këtij populli.

I vogël-i madh ky popull, i ditur-i paditur, i mirë-i keq, s’di, veç e di se shqiptarët nuk kanë idhuj, nuk marrin autografe nga VIP-at (tallen e qeshin me ta, por nuk i shkulin flokët për ta, siç bëjnë bota perendimore), dhe shqiptarët e kanë shumë mërzi t’i bësh të ndjehen inferiorë.

Nexhat Daci i shiste mend ambasadorit amerikan, e çonte në vilën e tij në Brezovicë (të cilën e ndriçonte me gjeneratorin e Kuvendit), e ‘detyronte’ m’i dath çorapët e me mbath papuçe, i qaraveshej atij me protezat e financuara nga buxheti i shtetit, dhe me syze të blera me paret e shtetit, i tregonte ambasadorit amerikan se ‘ekzistojnë dy Amerika’!

Ku mos m’u mbyt n’legen, pastaj!

Kur kërkon nga të tjerët lëmoshë, vota, duartrokitje, dhurata, si mund të jesh ‘i madh nga mendtë’!

Nuk mund të jesh edhe ‘lypës’ edhe madhështor. Edhe individualist, edhe pjesë e popullit.
Për aq sa ke nevojë për njerëz, ti mbetesh ‘i vogël’ dhe i varur prej tyre.

Veton Surroi dilte fshat më fshat me sheshir të zi me lyp vota prej katundarëve të varfër dhe ua rikujtonte atyre errësirën dhe kurumin, komunizmin dhe kotësinë, prandaj edhe ia treguan vendin sheshirit të tij.

Ata që të bëjnë ‘të madh’, kur duan të zbresin në tokë, mjafton t’i bësh të ndjehen ‘kurrkushi’!

Rexhep Qosja e mohonte Ibrahim Rugovën, në vend se t’ia merrte yrrnekun, e të sillej butë, urtë, mirëkuptueshëm e kokëulur, si Ai.

Shqiptarët kanë dëshmuar se kërkojnë dhe e pranojnë veç një tip të politikanit që sillet me mirësi, me durim dhe me mirëkuptim për të gjithë.

S’vjen në shprehje të jesh arrogant.
Sepse, edhe hiç mos me pas njet me t’luftu, me arrogancën tënde ti ua sjell ndërmend se ‘je i poshtër’ dhe kështu i motivon të çohen kundër teje e të vetëmbrohen nga ti.

I lirë dhe i pavarur është ai që jep, e nuk merr, nuk lyp asgjë nga askush.
Në momentin që ti del në rrugë dhe kërkon nga populli të të bëjë ty ‘të madh’, ti duhet të sillesh si ‘i vogël’, si ai që je në të vërtetë.

Albin Kurti u tall me popullin kur ju recitonte ‘nina-nana’ me rima, si bebave, anipse ai sigurisht e di se poezia e ka përjashtuar ‘moti’ rimën nga arti i saj. Askush më nuk përdorë rimë dhe nuk e matë poezinë me metër, aman xhanëm.

Kur e pashë dje Albin Kurtin në votime, fryhej e mburrej aq shumë, aq i vetëkënaqur dhe i kotë shfaqej, sa më vinte keq për të.
(E harrova Isa Mustafën që si pleqtë e ktyneherit ecte një metër para gruas së tij, apo Ramushin që ia kish mbajtur në xhep letërnnoftimin Anitës, për të na treguar se është xhentil, e jo si Kadri Veseli që pret prej gruas me ja mbajtë letërnjoftimin).

Kokën përpjetë Albini, jo qysh na kanë edukuar familja ‘ule kokën, mos shiko përpjetë’!
Jo qysh na mësoi libri të shikojmë poshtë kur ecim sepse kur çojmë kokën lart i shohim ata që janë më të mëdhenj se ne, e kur e ulim kokën i shohim ata që janë më të vegjël se ne’!

Arroganca e njerëzve të Albinit është ajo ‘sëmundja’ autoimune që e shkatërron Vetëvendosjen, pa pasur nevojë ‘ta prek’ ndonjë dorë nga jashtë.

– Nuk u distancuan nga arroganca dhe shëmtia e Frashërit.
– Nuk u distancuan nga dëshira e kandidatit të tyre në Rahovec për ta zhdukur nga faqja e dheut Izraelin.
– Nuk u distancuan nga kandidati i Rahovecit kur tha se ‘vajzat duhet m’i rrah në shkollë se dajaku ju bën mirë’.
– Nuk u distancuan nga ishi i të Drejtave të Njeriut Sami Kurteshi kur i tha ministres Hoxha ‘lopë’!
– Nuk u distancuan nga deputeti kur Ganimete Musliut ia shau nanën në varr!
– Nuk u distancuan nga portali i tyre kur në mënyrën më perverse të mundshme u shprehën për vajzën dhe gruan e Ibrahim Rugovës.
– Nuk u distancuan nga e keqja, prandaj e keqja i mundi.
– Nuk u distancuan nga arroganca, prandaj arroganca u mbeti në derë.

Askush nuk e di çfarë ke ti në zemër. Njerëzit e gjykojnë shprehjen tënde të fytyrës dhe gjestet t’ua, fjalët që thua dhe mënyrën si ecë.

Shpend Ahmeti kur kalon rrugës ‘bëhet që s’ju njeh’, por kur Hashim Thaçi kërkonte votën e qytetarëve, e kalonte rrugën për t’ju përshëndetur.

Se, Hashim Thaçi e ka marrë yrrnekun e Ibrahim
Rugovës, me kohë e ka kuptuar se shqiptarët s’merren me t’keq.

Edhe Kadri Veseli është në rrugë të mbarë për t’u bërë ‘njeri’ (por, për dallim nga Hashim
Thaçi, Kadri Veseli e ka situatën jashtë kontrolli, sepse shumë njerëz nëpër institucione sillen arrogantë dhe të pamoralshëm, vrazhdtë dhe egër, në emër të tij).

Njeriu për njeriun s’bëhet dot Zot. Kot e ke që i shet mend!

Kujt i shet mend!
Pse shet mend!
Çka është nevoja jote t’i bësh njerëzit të ndjehen të vegjël në krahasim me ty. E ti të ndjehesh superior. Sikur ti të ishe superior s’do të kishe pasur nevojë për duartrokitjet e inferiorëve.

Gjithkush i thotë vetes dikushi. Dhe, vërtetë, gjithkush që është i ndershëm është dikushi.

P.S. Njeriu më së rreziku është të bie kur është në kulmin e tij.
Dhe ti kujton se kurrë nuk e di nga të vjen ‘e keqja’, por në fakt të vjen nga arroganca dhe mendjemadhësia.

Shih Edi Ramën, e keqja i erdhi nga nuk e priste, nga shteti italian, sepse ai ishte aq i zënë me ‘madhështinë’ e tij sa nuk e pa ‘elefantin në dhomë’, dhe nuk e pa miun kur i kaloi nëpër mustaqe.

Të jenë të gjithë ‘gabim’, e veç ti të kesh të ‘drejtë’ nuk është normale, edhe sikur të jetë e vërtetë, duhet të sillesh sikur ‘edhe dikush tjetër’ e ka ‘mirë’.

Nëse Sali Berishën ‘e mundi seksi’ (që pata shkruar më 2013), Edi Ramën e mundi arroganca dhe mendjemadhësia, nevoja për t’ua bërë bajat dhe për t’i mohuar të gjithë, pa përjashtim.
Si dhe, prirja e tij ‘fshatareske’ për t’iu ngjitur njerëzve ‘nofka’!

Të ngjashme