Partia Demokratike në udhëkryq

Prishtinë | 04 Kor 2017 | 14:23 | Nga Afrim Krasniqi

Zgjedhjet mbaruan dhe PD pritet të hyjë në një krizë tjetër, – krizën e përgjegjësisë dhe të zgjedhjes së lidershipit të ri. Ka argumente se zgjedhjet janë blerë dhe se opozita nuk mund të bënte më shumë. Ka argumente se opozita nuk i përmbushi pritshmëritë publike dhe përgjegjësia është kryesisht e saj. Ka argumente se qytetarët kanë ndryshuar sjelljen elektorale apo se PD ka humbur sensin e lidhjes me qytetarët.

Ka argumente se disa kritikë në parti ndikuan në rënien e numrit të votuesve, se partitë aleate nuk patën angazhim real në fushatë, se sistemi zgjedhor është penalizues, apo se qytetarët nuk votojnë programe por oferta ekonomike. Secili argument ka mbështetës dhe kritikë. Do të duhen shumë netë dimri për të diskutuar mbi to.

Por fakti është fakt: pas katër vitesh në opozitë dhe një bilanci gri të mazhorancës së majtë, PD ka rezultatin e dytë më të ulët historik, pas 1997. Më 2017 PD ka marrë mbi 300 mijë vota më shumë sesa më 1991, kur të votoje për opozitën ende konsiderohej herezi dhe zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të drejta. Tabela tregon se PD nuk ka vetëm 73 mijë vota më pak, por ka mbi 166 mijë vota më pak, pasi më 2017 në siglën e saj ishin edhe partitë aleate, të cilat më 2013 morën 528,373 vota, kurse katër vjet më vonë vetëm 455,481 vota.

Me të njëjtën skemë analize, PS më 2017 nuk ka vetëm votat e saj por edhe votat e partive aleate që deklaruan bashkimin e votave me PS. Për pasojë, më 2013 PS mori 751 054 vota, kurse më 2017 bashkë me aleatët e saj mori 763 999 vota, ose vetëm 8-9 mijë vota më shumë, – gjithsesi një arritje e madhe për nje parti pas 4 vitesh konsum ne pushtet.

Mësimi? PS pati shkallë mobilizimi të anëtarëve votues 107%, kurse PD humbi 17% të elektoratit të saj të vitit 2013. Çfarë ka ndodhur? Me siguri të gjithë ne e kemi një përgjigje. Por në llogaridhënien në politikë, siç mëson politologu W.M “politikanëve nuk u pëlqen të japin llogari, ata gjithmonë kanë një alibi për dështimet e tyre; militantët më shumë janë të prirur tu shkojnë pas alibive sesa argumenteve, të parat përtypen lehtë dhe interpretohen si të duash, të dytat kërkojnë kulturë, mendim dhe integritet”.

A jemi në atë pikë? Sipas standardeve të W.M. po, aty jemi. Dhe nëse kjo është e vërtetë atëherë nuk ka ndodhur ende më e keqja për opozitën dhe mbështetësit e saj. Nëse jo, pra nëse teza e W.M nuk përkon me rastin tonë, atëherë opozita dhe ajo çfarë ka mbetur prej saj duhet të gjejë qetësinë, argumentin dhe forcën për të kuptuar se ri-ngritja dhe ndryshimi nuk janë çështje statutesh midis grupeve mbështetëse në rrjetet sociale dhe as mentalitet turme të “tokës së xanun”, – por mbi te gjitha është çështje vizioni, aftësie dhe sensi përgjegjësie. Bazuar ne praktiken e rasteve të njëjta analoge ne Evrope receta është klasike: transparenca, analiza reale, hapja, pjesëmarrja e gjerë, riformatimi strukturor, vizioni afatgjatë dhe gara reale demokratike midis alternativave për ekip në lidership do të mund të jenë investimi drejt një opozite të re, të aftë, përfaqësuese dhe konkurruese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme