Për vajzat e bisturisë dhe ato “të thjeshta”

Prishtinë | 17 Kor 2017 | 15:40 | Nga Manjola Arizaj-Zeka

Kisha vendosur të mos reagoja, as paragjykoja më tipin e bullizmit në rrugë. Madje ndonjëherë edhe i justifikoja “ngacmueset”; vajza të reja, ndoshta edhe ne kështu jemi sjellë dikur, brezat kështu janë etj… shprehje thjesht për të mbuluar atë çka shihja, apo dëgjoja. Por sot vendosa të shkruaj.

Isha dëshmitare e një ngjarje po e quaj, të shëmtuar, gati të pashpirt, madje të pistë të realitetit tonë. Dy vajza, të lyera rëndë në këtë vapë, dukshëm të trajtuara estetikisht në klinika, me trup të bukur të palestruar, komentuan gati në fytyrë një tjetër vajzë të moshës së tyre, diku mes 20-25 vjeçe: “Ça trupi, si do dalë e shkreta në plazh, imagjinoje kur vesh tanga, po mbathjet e plazhit duhet t’i bëjë me copën e perdes…dhe ia krisën të qeshurit e vazhduan rrugën duke u gajasur. Vështrova vajzën e sulmuar; mbipeshë, veshje normale vere, tualet I lehtë, një fytyrë e ëmbël dhe e butë dhe sytë plot me lotë. Nuk I fola dot, sepse nxitoi. Dhe ai nxitim I saji më bëri të shkruaj.

A e kuptojnë ato zonjushat, që do e kenë harruar veç pas një minute këtë episod, dhe po shkrihen në celular, pra a e kuptojnë se çfarë i shkaktuan asaj vajze? Çfarë drame do ta ndjekë atë përgjatë gjithë verës? Ajo do të ketë përherë në vesh të qeshurat sarkastike të atyre dy manekinëve, sa herë të provojë një palë rroba banje përpara pasqyrës, sa herë t’I thotë nënës “a më shkojnë”, dhe ndoshta do t’I shqyejë, do t’I hedhë poshtë e do të përplaset në krevat duke qarë për një kohë të gjatë; teksa dy “humoristet” do të jenë duke u gëzuar nën rrezet e diellit, me lekët e dikujt tjetër (po e di që po paragjykoj, jam duke e bërë me dashje, sepse nuk po përmbahem dot).

Pse ia shkatërrojmë jetën në këtë formë tjetrit? Nuk e kuptoj këtë kënaqësi vrastare. Apo duam të nxjerrim në pah “përparësitë” tona. Sot nuk I justifikoj dot fare.Mund të justifikoj fëmijët, por jo këtë moshë. Ndoshta jam gabim, por do ta preferoja një fytyrë “bio”, përpara një fytyre “omgj”.
Jam përherë që një vajzë, grua të trajtohet estetikisht për një palë veshë të mëdhenj, një hundë më kurriz, apo një deformim gjenetik, sepse të gjitha duam të dukemi të bukura.

Por nuk jam kurrë për shndërrimin, si ato dy vajzat që pashë sot, të fryra kudo. Por kjo është puna e tyre dhe e kujtdo. Por ama drama që ato shkaktuan sot (uroj shumë që mos të jetë e tillë), është puna jonë, e të gjithëve, duke nisur që nga tekstet mësimore e klasave të ulëta, madje ndoshta me trajtimin e edukatoreve edhe më herët, deri tek edukimi në shtëpi: ta luftojmë bullizmin. Nuk di sa e sa vajza, refuzojnë të shkojnë në plazh, apo të veshin rroba të shkurtëra për shkak të frikës, se do të ndjehen të tallura e të përbuzura.

Vajza: Mos e çani kokën. Mjafton të ndjeheni mirë me veten. Qeshni. Gëzojeni jetën. Edhe sikur të keni celulit e bark mendoni që Dielli dhe Jeta nuk bëjnë selektime. E ata që bëjnë, nuk janë të përzgjedhur nga askush. E di që mendoni orë e sekondë si të hiqni ato kilet, si të bëheni njësoj si ato që shihni në revista, si do të donit të provonit veshjet e bukura e të ngushta. Ju kuptoj. Dhe patjetër ju mbështes në çdo iniciativë tuajën për t’u dukur më e bukur, më e këndshme më tërheqëse. Por edhe duke mos harruar, që kjo të mos kthehet në obsesion. Kjo do të ishte e rëndë.

Jeta nuk ka vetëm trup, fytyrë, veshje dhe plazh. Nuk dua të bëj moralisten me ato që janë zbukuruar përtej limiteve, por që tregohen tashmë të shëmtuara me vajzat “normale”, por do t’u kërkoja me lutje: jetoni jetën tuaj, dhe I lini të tjerat të jetojnë jetën e tyre.

Të ngjashme