Poenta te poenët

Prishtinë | 05 Maj 2017 | 16:10 | Nga Adrian Gjoshi

Padia për gjenocid ndaj Serbisë dhe ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale janë iniciativa të parealizueshme dhe nuk mund të kenë epilog të suksesshëm. Njëra për arsye juridike dhe tjetra për arsye politike e faktike.

Padyshim se — iniciativa të tilla bëhen për të marrë poenë politik — për të kaluar “testin” para qytetarëve. Zgjedhjet afrohen, mandatet politike mbarojnë, votat nevojiten! Ata duan vota. Ata thonë atë që votuesit dëshirojnë ta dëgjojnë. Ata nuk e thonë të vërtetën. Në fakt, për të ardhur dhe për të mbetur në pushtet, është e pashmangshme që të thuhen premtime të parealizueshme, që mos thuhet e vërteta apo e gjithë e vërteta. Megjithatë, disa të pavërteta nuk kapërdihen dhe nuk mund të kalohen pa u komentuar. Tashmë është e ditur se padia për gjenocid kundër Serbisë do të ishte e pasuksesshme për dy arsye.

E para, ka pengesa procedurale dhe e dyta, praktika e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), vështirë se krimet makabre të Serbisë do t’i kualifikonte si gjenocid. Fatkeqësisht, e drejta ndërkombëtare i ka caktuar standarde të larta plotësimit të figurës së kësaj vepre penale ndërkombëtare. Për ilustrim, në vitin 2007, GjND kishte vendosur se në Bosne-Hercegovinë ishte kryer gjenocid. Megjithatë, nuk kishte mjaft prova për të vërtetuar se gjenocidi ishte kryer sipas direktivave të Serbisë.

Këto ditë, ky vendim pritet të apelohet nga Bosnje Hercegovina, meqë sipas saj, tashmë janë mbledhur fakte dhe prova të reja. Së fundi, në vitin 2015, GjND ka refuzuar padinë e Kroacisë ndaj Serbisë, me arsyetimin se nuk ishin përmbushur standardet ligjore për t’i kualifikuar krimet e luftës si gjenocid. Sa i përket ndryshim-plotësimit të ligjit për gjykatën speciale, Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes funksionit ligjvënës miraton ligje; dhe ka autoritet ta plotësoj dhe ndryshoj çdo ligj, përfshirë ligjin në fjalë. Megjithatë, pavarësisht prej padrejtësisë së bërë ndaj Kosovës, mocioni dhe miratimi potencial për plotësim-ndryshim të këtij ligji është i vonuar.

Për më tepër, është ndërkombëtarisht dhe politikisht i papranueshëm; meqë tashmë ky forum dhe juridiksion – ka marrë jetë. Të dyja këto iniciativa janë të pamundshme dhe të parealizueshme. Deklarimi i tillë për padi nuk ka ardhur nga padijenia për suksesin e padisë, por nga dijenia se përfitohet politikisht. Po ashtu, mbështetja formale nga ana e disa deputetëve për ndryshimin-plotësimin e ligjit për specialen përbën mocion për promocion.

Do të ishte disi e pranueshme që edhe të dëgjonim deklarata dhe iniciativa të tilla, sikur të bëheshin deklarata dhe iniciativa të tjera që do të mund të realizoheshin. Pra, duhet dëgjuar deklarata, por duhet dëgjuar se si do të merren hapa konkret për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve. Duhet dëgjuar deklarata, por duhet dëgjuar se marrëveshjet e dëmshme për Kosovën kanë përfunduar. Përfundimisht, në këtë momentum, padia për gjenocid ndaj Serbisë dhe ndryshim-plotësimi i ligjit për Gjykatën Speciale është manipulim. Poenta te poenët, poenët te votat, votat te pushteti dhe pushteti te pasuria!

(Autori: Avokat, Adrian Gjoshi)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme