Pushimi prindëror si model i ardhshëm në Kosovë

Prishtinë | 21 Nën 2017 | 14:20 | Nga Milaim Morina

Përpjekjet për amendamentimin e Ligjit të Punës në vitin 2016 nxitën edhe shumë debate për futjen e pushimit prindëror si pjesë e këtij ligji duke theksuar rëndësinë e angazhimit të dy prindërve në kujdesin për fëmijë. Tashmë, pushimi prindëror është duke u promovuar si e drejtë e barabartë e grave dhe burrave për të shërbyer bashkarisht në rritjen dhe mirëqenien e fëmijës. Olof Palme International Centre (OPC) përmes organizatave jo-qeveritare partnere, respektivisht Institutin D4D, Rrjeti i Edukatorëve bashkëmoshatarë (PEN) dhe Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), kanë marrë iniciativa të përbashkëta për të diskutuar këtë temë dhe për të avokuar në draftimin e ligjit të punës duke e përfshirë atë konform me transpozimin e direktivave të BE-së. Njëkohësisht, Forumi Ekonomik i Gruas i formuar nga disa organizata jo-qeveritare gjithashtu është aktiv në këtë drejtim.

Ligji aktual i Punës Nr. 03/ L-212. rregullon pushimin e lehonisë me Nenin 49. Sipas këtij neni, respektivisht sipas pikës 3, 4 dhe 5 gratë në Kosovë kanë të drejtë për 12 muaj pushim të lehonisë dhe atë: 6 muaj të paguara nga punëdhënësi (me 70% kompensim të pagës); 3 muaj të paguara nga Qeveria (me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë); dhe 3 muajt e fundit pa pagesë. I njëjti ligj ofron vetëm dy ditë pushim me pagesë për baballarët, dhe 2 javë pushim pa pagesë . Kjo diskrepancë e madhe ndërmjet kohëzgjatjes së pushimit për nënat dhe për baballarët ka ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e ashpër të roleve gjinore dhe pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës. Momentalisht, Kosova është shteti me pjesëmarrjen më të ulët të grave në tregun e punës (me vetëm 18%) në rajon. Përderisa Shqipëria dhe Serbia kryesojnë me 45% të grave në tregun e punës, ndërsa Maqedonia dhe Mali i Zi me 43% gra aktive në tregun e punës.

Faktor i rëndësishëm për pjesëmarrjen kaq të ulët të grave në tregun e punës në Kosovë ka edhe modeli i përzgjedhur për pushim me lindjen e fëmijës. Kjo për shkak se pushimi i lehonisë ndikon që nënat të shkëputen për një periudhë të gjatë kohore nga vendi i punës (deri në 9 muaj) dhe mandej të ballafaqohen me shumë sfida gjatë kthimit në punë. Shumë punëdhënës i largojnë gratë nga puna pikërisht për shkak të periudhës të gjatë kohore, gjë që bjen ndesh me dispozitat e Ligjit të Punës.

Ligji në fuqi nuk ka rol thelbësor për baballarët vetëm në rast se nëna vdes ose e braktis fëmijën e saj. Disa aktorë socialë pohojnë se pushimi prindëror është i përfshirë në ligjin e punës duke e theksuar paragrafin 8 të nenit 49 i cili lejon që “të drejtat nga paragrafi 4. dhe 5. i këtij neni të barten te babai i fëmijës në marrëveshje me nënën.” Mirëpo, sipas të dhënave të MPMS, kjo dispozitë ligjore deri më tani është shfrytëzuar vetëm nga një burrë/ baba si e drejtë. Përveç kësaj, vetë neni 49 është emëruar si “pushim i lehonisë” që do të thotë se fokusi është vendosur tek nëna, pasi edhe dispozitat për pushimin e nënës janë përcaktuar qartë ndërsa procesi i transferimit të të drejtave nga nëna tek babai nuk është elaboruar mjaftueshëm dhe si i tillë le shumë për të dëshiruar.

Duhet thekësuar se Pushimi i lindjës është i përcaktuar vetëm për nënën biloogjike, ndersa pushimi prindëror u mundëson të dy primdërve angazhim për kujdesin ndaj fëmijëve.

Partnerët social, duke përfshirë sindikatat, përfaqësuesit e bizneseve, qeveria e Kosovës, deri më tani nuk i kanë dhënë prioritet kësaj çështjeje dhe si të tillë nuk e promovojnë pushimin prindëror si e drejtë dhe opcion i cili do të zvogëlonte rastet kur gratë përjashtohen nga puna për shkak të periudhës së gjatë kohore të pushimit të lehonisë. Megjithatë, një zhvillim pozitiv ka filluar me punëtoritë dhe diskutimet e zhvilluara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale për harmonizimin e ligjit të punës të Kosovës me direktivat e BE-së. Në mesin e direktivave që do të transpozohen në ligjin e punës deri në vitin 2020, është edhe direktiva që rregullon pushimin prindëror, respektivisht Direktiva e Këshillit 2010/18/EC e datës 8 mars 2010.

Sipas kësaj direktive, pushimi prindëror është e drejtë e barabartë individuale e burrit dhe gruas, e cila mund të ushtrohet nga të dy prindërit në të njëjtën fushë dhe, në përgjithësi, në princip nuk duhet të transferohet nga njëri prind tek tjetri (pavarësisht llojit të kontratës). Kohëzgjatja e pushimit prindëror (deri në moshën 8 vjeçare të fëmijës) përcaktohet nga shteti. Pushimi prindëror duhet të jipet së paku për katër (4) muaj për të dy prindërit dhe duhet të jetë i patransferueshëm për këto muaj. Transferi mund të autorizohet vetëm në rastin kur secili prind ka marrë së paku një nga 4 muajt e pushimit me qëllim të inkurajimit të të dy prindërve.

Duhet të theksohet se Direktivat e BE-së i përcaktojnë vetëm standardet minimale për pushim prindëror. Kjo ofron hapësirë që shtetet, në bazë të kontekstit aktual të gjejnë modalitet e përshtatshme të pushimit prindëror i cili do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga D4D, përgjëgjësia kryesore për përkujdesje ndaj fëmijëve në familje, 43.9% të anketuarve mendojnë që duhet të ndahet barabartë në mes të prindërve, 28.9% shprehen që nëna duhet të jetë kujdestarja kryesore, ndërsa 3.3 babai. Ndërsa 23.9 % mendojnë që prindërit kujdestarë duhet të zgjedhen në bazë të rrethanave të tyre.

Në bazë të të dhënave të paraqitura në këtë hulumtim, D4D ka rezultuar me këtë model të pushimit prindëror:
• 4 muaj pushim i lehonisë (70% të pagës bazë)
• 1 muaj pushim i atësisë (70% të pagës bazë)
• 4 muaj pushim të prindëror si të drejtë të barabartë individuale (4 për babain dhe 4 për nënën) – 2 muaj me pagesë për nënën dhe 2 muaj me pagesë për babain 50% të pagës mesatare
• Pushimi për familje në total: 13 muaj (8 muaj për nënën dhe 5 muaj për babain). Pushimi prindëror për nënën mund të vazhdojë menjëherë pas pushimit të lehonisë ose kur nëna zgjedhë ta marrë atë. Ndërsa pushimi prindëror për babain mund të vazhdojë menjëherë pas pushimit të atësisë ose kur babai zgjedhë ta marrë atë.

45.2 % e burrave të anketuar mendojnë që marrja e pushimit prindëror nga ana e tyre do të ndikonte pozitivisht në familje dhe në jetën e fëmijës. Ndërsa 60.2 % e grave kanë pohuar që ndarja e pushimit prindëror ndikon pozitivisht në zhvillimin e familjes.

Këto të dhëna japin shembuj se si pushimi prindëror ka ndikim pozitiv tek rritja dhe zhvillimi i fëmijëve. Njëkohësisht sinjalizojnë se burrat dhe gratë në Kosovë janë të gatshëm/e për të pranuar modele të reja të pushimit të lindjes të cilat do t’iu ndikojnë pozitivisht në mirëqenien e tyre dhe jetën profesionale.

Duke marrë parasysh se procesi i transpozimit të direktivave të BE-së ka filluar dhe do të implementohet përgjatë 2 viteve të ardhshme, tani është koha e duhur që të ketë një bashkëpunim të afërt ndërmjet shoqërisë civile, sindikatave, qeverisë, partnereve social dhe hisedarë tjerë rreth ndryshimeve që do të bëhen tek Ligji i Punës, sidomos në aspektin e pushimit të lindjes së fëmijës. Këta aktorë duhet të gjejnë modalitete që i përshtaten rrethanave të Kosovës, bazuar në standardet minimale që i përcakton legjislacioni i BE-së në këtë fushë. Duhet të përfshihen sa më shumë aktorë avokues, që kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes për pushimin prindëror dhe përparësitë që dalin nga ndarja e pushimit në mes të dy prindërve.

(Autori është drejtor i Qendrës për Politika dhe Avokim)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme