Qytetarët e Drenasit në kërkim të autoritetit të ligjshëm

Prishtinë | 16 Nën 2016 | 18:05 | Nga

Qytetarët e Drenasit në këto zgjedhje kërkojnë autoritetin e ligjshëm me elementin e guximit për të vënë vijen ndarëse mes politikës dhe administratës komunale, mes të vërtetës qytetare dhe interesit personal, kërkojnë nga i pari i tyre për të krijuar politike, e cila institucionet e dalura nga vota elektorale do t’i trajtojë si shtëpi e madhe, ku i zoti i saj vazhdimisht pyet anëtarët e familjes se si të shpenzohen mjetet e krijuara bashkë. Në këto zgjedhje mbase për herë të parë do të kandidojnë kandidatë me ofertë të qartë programore si kartë legjitimimi jo vetëm nga prizmi se kush do ta bëjë, por edhe se si. Gjithsesi që kandidati i PDK-së në këtë garë, Ramiz Lladrovci, ka përparësinë ndaj konkurrentëve tjerë, pasi paraqitet dhe mbështetet nga subjekti me potencialin e madh kadrovik, por dhe të përvojës në qeverisje. Rruga në krijim të ofertës politike pa elementin e dëgjimit të qytetarëve, vërtetë është rrugë qorre dhe si duket këtë gjë Ramiz Lladrovci e ka kuptuar mirë dhe lëvizjet e tija shkojnë që bashkë me të gjithë të ndërtohet e qartësohet oferta politike e tij. Lladrovci si duket e ka kuptuar me përvojën e tij politike se rruga e mbylljes dhe bërjes së politikës komunale në rrethin vicioz ka krijuar shumë defekte e mbi të gjitha zhgënjimin e qytetarëve. Qytetarët e Drenasit kërkojnë ujë cilësor të pijshëm, punë, sheshe, rrugë të asfaltuara, rrjetë të kanalizimit, shkolla, gjelbërim, masa të ruajtjes së ambientit dhe mbi të gjitha, kërkojnë qeverisje të mirë.
Vlefshmëria dhe suksesi si qëllim shpeshherë kërkojnë personazhin e kohës, e si duket në këtë rast ato e identifikuan karakterin e kërkuar që ka virtytin e të pa ambicie të djallëzuar, e të pa egoizëm shkatrraq. Konsideroj që vullneti i kandidimit të Lladrovcit ka të bëjë me vazhdimësinë e suksesit dhe vlefshmërinë për të qenë në funksion të ndërtimit të një qeverisje edhe më të mirë, e që është bekimi më i madh njerëzor.
Kam bindjen që Lladrovci gjatë fushatës zgjedhore do ta bëjë të qartë ofertën e tij programore, ku Drenasin si zonë do të tenton ta shndërron në një zonë, ku bizneseve u krijohet ambient i përshtatshëm për rritjen dhe zhvillimin e tyre, e veçanërisht atyre prodhuese tashmë në traditë. Do të ketë angazhim shtesë në ngritje të kapaciteteve komunale për promovim dhe tërheqje të investimeve, krijim të kushteve për zhvillim të turizmit rural e atij kulturor si asete ekonomike. Do të arrijë të hartojë strategji për investime të huaja, duke ngritur zyrën komunale për hartimin e projekteve për çasje në fondet e BE-së, duke qenë në shërbim maksimal të bizneseve dhe zhvillimit ekonomik. Konsideroj që kjo ofertë programore gjithsesi që do të përfshijë edhe ngritjen e Qendrës Komunale Promovuese të Prodhimeve të Drenasit dhe sukseseve të kompanive të këtij rajoni.
Urbanizmi, apo synimi që në këtë mandat të shkurtër qeverisës të arrihet që zonat rurale, përkatësisht 42 vendbanimet të jenë pjesë ku do të ketë vendbanime urbane me rrjetë të ujësjellësit, të kanalizimit, infrastrukturës rrugore dhe ndriçimit publik. Drenasi ka potencial të madh të zhvillimit të bujqësisë dhe se Lladrovcit i takon që të shprehë qartë angazhimin për të mbështetur e shtyrë idenë që sipërfaqet e tokës bujqësore të përfshihen sa më shumë në sistemin e ujitjes së kanalit Ibër-Lepenc, pra që komuna të ketë rol proaktiv në projektin e madh nacional të këtij sistemi. Fuqizimi i shkollave profesionale apo arsimit të të rinjve të kësaj komune në këto drejtime si ndërlidhje e arsimit me ekonominë. Zhvillim e fuqizim të infrastrukturës aktuale të shëndetësisë primare në zonat rurale, pastaj zhvillim të sistemit të informimit shëndetësor, standardizimit të shërbimeve dhe botim të fletushkave për mënyrën e menaxhimit të shumë sëmundjeve që janë në kujdesin parësor.
Lladrovci si kandidati më serioz për të qenë i pari i komunës së Drenasit në këtë mandat të shkurtër, e pse jo edhe për të vazhduar në mandatin tjetër, duhet të dëshmoj se ka guximin për të realizuar idenë e krijimit të një politike që i nënshtrohet ligjit e jo forcës politike, idesë që i shërben krijimit të shtetit të së drejtës si përpjekje në tejkalim të personifikimit politik në ndërtim të arsyes politike.

Të ngjashme