Schatz mirësevjen!

Prishtinë | 16 Kor 2016 | 23:09 | Nga Rrahman Paçarizi

Fjala “schatz” në kuptimin e saj të parë në gjermanisht e ka kuptimin “thesar”, por ka një përdorim mjaft të gjerë për t’iu referu të dashurit/të dashurës, në kuptimin “zemër”, “shpirt” e “loçkë” në shqip, a “honey”, “love”, “sweetheart” në anglisht. Fjala schatz e shqiptuar sigurisht SHAC u referohet mërgimtarëve shqiptarë nga Kosova, sidomos gjatë kohës kur ata vijnë në Kosovë për t’i kaluar pushimet. Kjo fjalë përdoret më shumë më konotacion përkeqësues, për t’i identifikuar ata si njerëz që fryhen për kamjen e tyre, si njerëz që shesin mend, për t’i identifikuar me njerëzit jo mjaft të integruar në shoqëritë ku jetojnë, si njerëz që veshin pantolla t’bardhë e rrypat patjetër të bardhë: Hej shaci mirë se ke ardhë / Sa mirë po t’rrinë pantollat e bardhë… Nuk është vetëm një rimë e thjeshtë e një teksti të lirë, të një rap parodie. Është pjesë e një konflikti kulturor.

Pjesa më urbane, më e kamur e shoqërisë kosovare nuk ka ça kokën fort për mërgimtarët, pasi mërgimi ishte dukuri tipike për zonat rurale e të pazhvilluara, ku njerëzit pa perspektivë në fundin e viteve ’60 dhe duke përfitu nga një marrëveshje ndërmjet Jugosllavisë së atëhershme dhe autoriteteve gjermane shkuan për të punu si punëtorë sezonalë apo me qëndrim të përkohshëm, me leje të rregulluar pune. Në vitet ’90, kolapsi total i ekonomisë vendore në Kosovë detyroi qindra mijëra të rinj të merrnin udhët drejt Perëndimit, duke riaktualizu këngët e kurbetit. Luftërat në ish-Jugosllavi bënë që autoritetet gjermane, zvicerane, suedeze etj., të mos i kthenin mbrapsht, ndonëse shumica prej tyre kishin hyrë ilegalisht në këto vende apo si pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal të Serbisë me qëllim të zbrazjes a herrjes së Kosovës, pasi armët e luftës vringëllonin gjithandej dhe sa më pak shqiptarë, aq më i lehtë bëhej realizimi i planeve serbe për spastrim etnik.

Pikërisht këta shqiptarë për deportimin e të cilëve Serbia krijoi kushte, i kushtoi pothuajse më së shumti Serbisë, meqë ata u shndërruan në një fuqi mbështetëse financiare për t’i dhënë grushtin e fundit asaj, me mbështetjen financiare që i bënë luftës së UÇK-së. Ata u shkrinë financiarisht, një pjesë u kthyen dhe luftuan me armë e pati të tillë që edhe dhanbën jetën në atë luftë.

SCHATZ – përpjekje për integrim apo lojë e integrimit

Pas përfundimit të luftës, Kosova nisi të frymojë ndryshe, nisi të rikapë rrjedhat kulturore e arsimore botërore, ekonomia nisi të ringjallej, natyrisht ende edhe sot e kësaj dite falë remitentave nga Perëndimi, pra falë mërgimtarëve tanë.

E këta të fundit, tash nisën të mendojnë për vete, ta ndërtojnë të ardhmen e tyre atje ku janë, pa i shkëputur lidhjet me vendlindjen. Në përpjekjet për t’u integruar në shoqëritë ku jetojnë dhe meqë shumica prej tyre ishin ende të rinj, ata nisën të thirreshin mes vete me terma civilizues, duke e thirrë gruan a burrin schatz, e jo më “hej”, “njeri”, “dredhë”, “shkekë” etj. Pakësimi i prurjeve financiare në Kosovë, përpjekjet për ndryshime kulturore në njërën anë dhe ndryshimet në Kosovë, ku njerëzit nisën mos me ua pasë shumë nevojën mërgimtarëve që aq shumë i deshëm në këngë e aq shumë ua volëm xhepat, si dhe ndryshimet kulturore për shkak të mundësive për të lëvizë në Evropë e tutje, për t’u shkollu, njohja e gjuhëve të huaja etj., dalëngadalë krijoi një konflikt, për shkak të epërsisë kulturore të popullatës urbane të Kosovës, e cila nisi të shfaqë mosdurimin, duke ndërtu edhe mekanizma gjuhësorë të cilësimit të mërgimtarëve me terma si SHAC.

E vërteta është se SHACA quheshin mërgimtarët që vinin nga Gjermania e Zvicra, ndërsa mërgimtarët nga Londra, kryesisht me origjinë nga Prishtina ishin kursy, ndonëse fillimisht ka pasë disa përpjekje për t’i cilësu si karvosha (nga car wash). Tani, ka shumë mërgimtarë shqiptarë të cilët janë mjekë të njohur, ekspertë të IT-së, biznesmenë dhe konsulentë biznesesh. Atyre, zakonisht nuk u themi SHACA, por ata ne si na quajnë? Ky konflikt kulturor i nisur nga “shacat” që shisnin mend si kosovarët në Shqipërinë e viteve ’90, prodhoi reaksion i cili u reflektua përmes termit “shac” për t’i identifikuar mërgimtarët katundarë, të cilët nisën t’i quajnë “kinezë” kosovarët. Natyrisht, këto dy kultura komunikonin rregullisht dhe barsoleta të shumta u prodhuan gjatë kësaj kohe, ku protagonistë ishin kryesisht shacat që vinin për gjetur nuse, e nuses i lidhej wirelessi në motel, ose kur nuses i kërkohej të shkonte në një motel për t’u njohur më mirë, ajo propozonte një motel tjetër, se aty s’kishte televizor etj. Shaca, ashtu sikur ne e kemi njëfarë xhelozie ndaj kamjes suaj, edhe ju e keni njëfarë xhelozie për përparimin tonë.

Na mendojmë se ju jeni fryvça e ju mendoni se Kosova ende është në vitet ’90 se femrat te na vishen tepër shkurt, e tepër të reja dalin nëpër pube-e e diskoteka. Ju nuk jeni fryvça, por edhe vajzat tona veç janë të bukura, shumë të bukura. Brezi im është rritur me të tjerë mërgimtarë e rrjedhimisht edhe me dashuri tjetër për ta – një dashuri që kufizohej në mall të sinqertë, ndonjë vetrovkë, vindjakne të ushtrisë gjermane, dorëza me ngjyra me flamur të Gjermanisë dhe me lezetin e të dëgjuarit të rrëfimeve fort interesante për një botë që quhej Gjermani, Zvicër, Francë, sekuenca të të cilave më kanë ngelë në mendje: “Në autoban vec e qet tullën në gaz edhe ia fut gjumë dej te veni; kurrkund në Gjermoni s’ka bandera; Socialli nuk të len me pasë banesën me ma pak metra sesa mundesh me akomodu familjen, n’Gjermoni ni kafe në qytet kushton 20 euro; shefi më ka desht ma së shumti, në Gjermoni munesh me lëpi asfaltin qaq pastër qi osht; krejt zvicrant janë policë; mas orës 3 asni shitore s’munesh me gjetë celë, etj.” Sa herë udhëtoj nëpër Evropë më sillen nëpër mendje këto rrëfime. Sa herë sillem nëpër Evropë, më vjen keq që ne i quajmë shaca e ata na dojnë përnjëmend – ka ndodhë që në autostradë më ka ndjekë dikush me veturë dhe s’kam ditë se çka ka, deri sa kur jam ndalë në tankstelle (pompë të benzinës) ka ardhë tipi dhe më ka thanë: “veç deshta me të përshendetë se t’i pashë targat e Kosovës”.

SHACI si stereotip kulturor

SHACI në Kosovë është shndërruar në stereotip. Neve na duket që shacat s’dinë me vozitë, se kur vijnë këtu shlirohen e vozisin shpejt (se s’po kanë ku – autostradat pa kufizim shpejtësie në Gjermani), se parkojnë kuturu, etj. SHACA, na e dimë që ju nuk jeni integru mjaft në shoqëritë ku jetoni – sepse integrimi kushton e ju na keni pasë e na keni barrë neve; na e dimë që fëmijët tuaj nuk dinë me u sjellë si duhet në diskotekat e Prishtinës – se atje kushton shumë me shku në diskotekë; na e dimë se ju shumica punoni në baustelle – sepse kjo shoqëri s’ju ka shkollu e përgatitë për tjetër, por thjesht ju ka hedhë në botë pa asnjë përkujdesje; na e dimë që ju na pengoni një muaj kur vini – sepse ju e doni ende shumë këtë vend; na e dimë që s’po na leni pare sa duhet – se ju keni kriju familjet tuaja dhe po ndërtoni jetën tuaj atje; na e dimë që s’jemi mirënjohës ndaj jush – se jemi shliru në njëfarë mase dhe marrim nga një rrogë, kemi ndonjë veturë; na e dimë…, po edhe Ju e dini, e dini më mirë se ne. Na krejt e dimë që konflikti është kulturor. Juve mos t’jau nin – vishuni qysh të doni – edhe na veshim maica të bardha e pantolla të bardhë, veshim sandale dhe pantolla të shkurtër kur kemi vapë. Vozitni vetura të shtrenjta – edhe ne kur kemi vozisim të tilla. Shkoni në Ulqin e Durrës- bashkë me ne… Veç dijeni një gjë: na përnjëmend ju dojmë pasi e dimë që ju e doni këtë vend.

Na e dimë që ma lirë ju bie po t’i kaloni pushimet në Turqi, në Spanjë e Itali sesa në Kosovë, se këtu edhe pse deri në fund na bëni me mendu, në fund para se me u nisë diçka na lini. Ama edhe ne Ju dojmë, edhe kur ankohemi se po vozitni shpejt etj. Mos u nervozoni kur ju pyesim: “Sa doni me nejt?”, “A ma mirë këtu a atje?”, “hajt thuje naj fjalë gjermanisht” etj. Willkommen Schätze, herzliche willkommen!

P.S. Shaqiri, Xhaka, Xhaka, Ajeti, Behrami, Mustafi etj. me të cilët jemi mburrë aq shumë sivjet, a thu janë shaca more?

Të ngjashme