Si u bë bota kaq e pasigurt për demokracinë

Prishtinë | 22 Maj 2017 | 09:44 | Nga Bret Stefëns

Teza e Hantingtonit sugjeron se shumica e diktaturave, në fund do të shemben prej kontradiktave të tyre të brendshme, ndërsa shumica e demokracive do të ringrihen, falë aftësisë së tyre për të korrigjuar gabimet përmes zgjedhjeve. Ndoshta. Ose ndoshta, kauza e demokracisë ishte thjesht fatlume në vitin 1931, kur Uinston Churchilli nuk u vra nga një taksi në Nju Jork, dhe ishte sërish me fat në vitin 1942, kur pilotët amerikanë goditën shënjestrat e tyre në Miduej, dhe ishte fatlume një herë të tretë, në vitin 1985, kur Bashkimi Sovjetik zgjodhi një udhëheqës, që ishte aq budalla sa të mendonte se komunizmi mund të reformohet.

Kjo javë shënon njëqind vjetorin e hyrjes së Amerikës në Luftën e Parë Botërore, kur Udrou Uilsoni u zotua se “bota duhet të bëhet e sigurtë për demokracinë”. Ai dhe bashkatdhetarët e tij nuk arritën ta bëjnë në kohën e tyre. Ne po dështojmë në kohën tonë.

Disa nga lajmet e javës: Në Rusi, udhëheqësi i opozitës, Alexei Navalny është në burg për shkak se udhëhoqi protestat antikorrupsion muajin e kaluar. Në Venezuelë, Gjykata e Lartë i dha presidentit NIcolas Maduro, kontrollin e plotë mbi të ardhurat nga shitja e naftës së vendit. Në Ekuador, një kandidat me emrin domethënës Lenin Moreno pretendoi fitoren në zgjedhjet e të dielës, me premtimin për të çuar përpara politikat populiste-autoritare të presidentit në largim, Rafael Correa.

Në Turqi, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan po bën fushatë për ndryshimet kushtetuese, që do të zgjasin qëndrimin e tij në detyrë, deri në vitin 2029. Në Filipine, Presidenti Rodrigo Duterte ka premtuar se do të falë dhe ngrejë në detyrë 19 oficerë policie, të implikuar në vrasjen e një politikani, ndërsa ka burgosur ish-kreun e komisionit të të drejtave të njeriut në vend.

Në Hong Kong, Carrie Lam, kandidatja e preferuar e Pekinit, u “zgjodh” si shefe ekzekutivi me votat e 0.03% të popullsisë së territorit; nëntë aktivistë pro demokracisë u arrestuan të nesërmen. Në Francë, kandidatja e parë në sondazhe për zgjedhjet presidenciale, Marine Le Pen, kërkoi për të rrisë mbështetjen mes votuesve, duke i bërë një vizitë Vladimir Putinit, në Moskë.

Këto lajme nuk janë thjesht një seri anekdotash. Viti 2016 “shënoi të 11-in vit radhazi, të rënies së lirisë globale,” raporton Freedom House në raportin më të fundit. “Një total prej 67 vendesh pësuan rënie neto në të drejtat politike dhe liritë civile në vitin 2016, krahasuar me 36 që regjistruan përparime”. Vetëm 39% e popullsisë së botës jeton në vende të lira sot, nga 46% që ishte një dekadë më parë.

Si u bë bota kaq e pasigurt për demokracinë?

Konstatimi shastisës në raportin e Freedom House është se gërryerja globale e lirisë politike, po ndodh kryesisht në demokracitë. Njerëzit po humbasin besimin tek liritë, që duket se nuk po përmbushin më premtimet për një jetë më të sigurtë, më të pasur, e më të drejtë.

Në disa raste, polarizimi politik afatgjatë çon në qeverisje joefikase, gjë që nga ana e vet, shton oreksin e publikut për liderë, të cilët premtojnë rezultate të shpejta, pavarësisht nga “vogëlsirat” ligjore. Në vende të tjera, një formë “e ndenjur” e politikës së konsensusut, shpie në polarizimin ideologjik, teksa partitë kryesore nuk arrijnë të merren me shqetësimet e njerëzve.

Dhe ndonjëherë, njerëzit magjepsen prej demagogëve karizmatikë, duke zbuluar vetëm shumë me vonesë, drejtimin ku po shkojnë. Kjo ishte tragjedia e Venezuelës nën Hugo Chavezin dhe e Rusisë nën Vladimir Putinin. Në të dy rastet, bumi i naftës shërbeu për të shtruar rrugën e tyre.

Në vitin 1991, politologu Samuel Huntington propozoi tezën, se demokracia përparon dhe tërhiqet me valë – një valë “Jacksoniane”, që nisi në fillim të shekullit të 19-të dhe ra, vetëm pas ngjitjes në pushtet të Musolinit, në vitin 1922; një valë e shkurtër e pasluftës, e cila ra në vitin 1960, pasi disa shtete postkoloniale ranë pre e diktaturës; dhe pastaj një “Valë e tretë”, që nisi me rikthimin e demokracisë në Portugali në vitin 1974, dhe arriti kulmin në shembjen e Bashkimit Sovjetik, 17 vjet më vonë.

Teza e Hantingtonit sugjeron se ajo që po ndodh sot është e pashmangshme: se demokracia ka një mënyrë për t’u shtrirë më shumë se sa mundet, përpara se më vonë, t’ia dalë të hedhë rrënjë të thella. Ajo gjithashtu ofron arsye për qetësi: trendi i tanishëm nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Shumica e diktaturave, në fund do të shemben prej kontradiktave të tyre të brendshme, ndërsa shumica e demokracive do të ringrihen, falë aftësisë së tyre për të korrigjuar gabimet përmes zgjedhjeve.

Ndoshta. Ose ndoshta, kauza e demokracisë ishte thjesht fatlume në vitin 1931, kur Uinston Churchilli nuk u vra nga një taksi në Nju Jork, dhe ishte sërish me fat në vitin 1942, kur pilotët amerikanë goditën shënjestrat e tyre në Miduej, dhe ishte fatlume një herë të tretë, në vitin 1985, kur Bashkimi Sovjetik zgjodhi një udhëheqës, që ishte aq budalla sa të mendonte se komunizmi mund të reformohej. Marshimi i lirisë qëndron mbi krahët e fluturave.

Por qëndron edhe në shembullin moral dhe vetëbesimin ideologjik të fuqive më të mëdha demokratike. ShBA ka sot president, një njeri i cili në mënyrë eksplicite hedh poshtë konceptin e jashtëzakonshmërisë amerikane, nuk shfaq interes në denoncimin e shtypjeve autoritare apo nuk mbështet disidentët demokratikë, heq paralele mes praktikave të regjimit të Putinit dhe atyre të qeverisë amerikane, dhe ka ndezur teori konspirative për një “shtet të thellë”, i cili lëviz fijet në Uashington.

Nëse amerikanët nuk mund të binden për meritat dhe të mirat e sistemit tonë, përse duhet të binden të tjerët? Nëse fituesi i zgjedhjeve në SHBA është një person që fut në siklet – apo edhe tmerron – pjesën më të madhe të botës së lirë, si mund t’u themi rusëve dhe kinezëve të zakonshëm, se rruga e demokracisë nuk është thjesht rruga e një kllouni?

Dikur amerikanët ishin shumë të kujdesshëm për të ardhmen e lirisë në botë. Humbni atë kujdes, humbni lirinë. (bota.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme