Sigurt drejt humnerës

Prishtinë | 12 Dhj 2016 | 10:17 | Nga Arianit Koci

Miqtë tanë deri më tani e kanë zbuluar çdo rrenë dhe mashtrim të politikanëve kosovarë. Për këtë situatë ka zgjidhje. Por, jo me klasën aktuale politike qoftë me disa të krahut të luftës apo të paqes. Me këta që janë aktualisht të sigurt e kemi vetëm humnerën.

Aktivistja sociale dhe autorja kanadeze, Naomi Klein, ka pasur të drejtë në librin e vet – The Shock doctrine: The Rise of Disaster Capitalism – kur thotë, se kapitalizmi global eksploaton katastrofat (luftërat, krizat politike, katastrofat natyrore, dyndjet e refugjatëve), për t’u liruar nga rendi i vjetër shoqëror.

Por, lirimi nga ky rend nuk bëhet për shkaqe humanitare apo qëllime benevolente, por për t’i vendosur secili prioritet e veta në rendin e ri botëror. E në rendin e ri botëror, ne kosovarët, nuk jemi faktorë. Thjesht, nuk ka askush interes prej neve. Përkundrazi!

Politikanët tanë, si duket nuk kanë kapacitete politike dhe intelektuale ta kuptojnë këtë. Perëndimi mund të na mbajë të izoluar edhe 20 vjet, nëse nuk ka interes prej neve, apo nëse e konsideron që nuk sillemi sipas rregullave të shteteve demokratike. Argument për këtë është situata rreth liberalizimit të vizave.

Pushtetarët tanë kanë dhënë premtime të fuqishme që 10 vjet, lidhur me lëvizjen pa viza e për Kartonin e gjelbër.

Të gjithë fqinjët tanë, ka kohë që nuk kanë viza. Askush nuk ka dhënë dorëheqje për mos realizim të premtimeve.

Duhet ta kuptojmë që nuk na pranojnë me primitivizmat dhe jo sinqeritet. Miqtë tanë deri më tani e kanë “zbuluar” çdo rrenë dhe mashtrim të politikanëve kosovarë. Ndryshe nuk shpjegohet që nuk qenka problem liberalizimi për gati 50 milionë banorë të Ukrainës dhe Gjeorgjisë e qenka problem liberalizimi për 1.7 milionë kosovarë.

Të gjithë, pozitë e opozitë, e kanë pasur rastin që deri tani ta dëshmojnë vetën, e posaçërisht politikanët e të ashtuquajturit krahut të luftës.

Rezultati është evident: degradim total i shtetit, shoqërisë, arsimit dhe kulturës.

Të jemi të sigurt që nuk do të ketë liberalizim, integrim e as relaksim të marrëdhënieve me botën e civilizuar me këtë garniturë politike.

Krizat momentale në botë, lufta në Siri, kriza e refugjatëve, animoziteti në mes SHBA’së dhe Rusisë, shpërbërja eventuale e BE’së, si dhe armatimi me armë nukleare, sipas të gjitha gjasave, do t’i bëjë shtet e fuqishme, që t’i kthehen vetes dhe prioriteteve dhe interesave të tyre.

Prandaj, në këtë kohë të turbulencave serioze në botë, duhet ta kuptojmë që interesimi i miqve tanë, e posaçërisht Amerikës, gradualisht po bie. Bota ka probleme më serioze se Kosova. Në këtë situatë, për neve është me rëndësi kursi properëndimor, dhe duhet shumë mund, gjak dhe djersë, për përqafimin e vlerave perëndimore, respektimin e rregullave demokratike që eventualisht të pranohemi në NATO dhe BE.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme