Të argëtohesh me krimin

Prishtinë | 11 Gus 2016 | 11:12 | Nga

Imer Mushkolaj 

Përgjimet në të cilat janë të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit janë shumë tragjike për t’u argëtuar me to. Andaj, të protestosh kundër kësaj kaste të njerëzve që na udhëheqin është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet vendit, është kontribut për të ardhmen, është patriotizëm.

Nuk duhet të argëtohemi me krimin Mund të mos ketë qenë e besueshme për askënd që shteti udhëhiqet me telefon.

Mund të mos ketë qenë e besueshme, po ashtu, se shteti konsiderohet pronë private dhe mund të bësh me të çfarë të duash. Por, përgjimet e fundit të publikuara nga gazeta online “Insajder” kanë shpërfaqur modelin e qeverisjes së këtij vendi nga një kastë politike, e cila bën çmos dhe përdor gjithçka të mbetet në pushtet.

Gjatë gjithë këtyre viteve nuk është se nuk ka qenë e ditur se si qeverisin ata. Por kur i dëgjon se si bëjnë plane për të punësuar militantë partie, kur i dëgjon si vendosin kush duhet fituar një vend pune e kush jo, kur i dëgjon si i kapin me militantë të vet institucionet e kompanitë publike, kur i dëgjon si i caktojnë njerëzit në sistemin e drejtësisë, kur i dëgjon si bëjnë plane për të kontrolluar gjithçka, atëherë bëhet e qartë se deri ku shkon pushtimi, e jo menaxhimi i institucioneve nga ta. Përgjimet dikujt mund t’i duken edhe argëtuese.

Njerëzit mund të bëjnë hajgare me diskursin që dëgjojnë. Por, ato shpërfaqin anën tjetër, atë të vërtetën të këtyre njerëzve që publikisht paraqiten krejt tjetërfare, që thonë krejt tjetërçka, që veprojnë krejt ndryshe.

Përgjimet janë shumë tragjike, për të qenë qesharake. Në çdo vend normal, skandali si ky i përgjimeve do të trondiste gjithçka.

Në përgjime nuk janë të përfshirë disa zyrtarë të zakonshëm, që flasin për gjëra të parëndësishme, por zyrtarët më të lartë shtetërorë – që nga presidenti ish-kryeministër, deri te ministra e zyrtarë partiakë.

Në çdo vend normal, skandali si ky i përgjimeve do të bënte që organet e drejtësisë urgjentisht të marrin masa për të vërtetuar përgjegjësinë e pretenduar penale të zyrtarëve të përfshirë në to.

Në çdo vend normal, skandali si ky i përgjimeve do të nxirrte mijëra njerëz në rrugë, për të kërkuar përgjegjësi penale e politike të të përfshirëve në të.

Në Kosovë organet e drejtësisë lëvizin me hapa breshke, pushtetarëve të përfshirë në skandal as që iu vjen në mendje të japin përgjegjësi, ndërkaq qytetarët ende nuk janë të gatshëm që masivisht të kërkojnë fundin e këtij sistemi.

Këtij sistemi kriminalo-politik. Sepse, nuk është krim vetëm të privosh dikë nga jeta. Krim është edhe t’ua privosh të tjerëve të drejtën për të bërë jetë të dinjitetshme, krim është që të tjerëve t’ua mohosh të ardhmen, krim është edhe t’i kapësh institucionet, krim është edhe të punësosh njerëz jo bazuar në merita, por në përkatësi partiake, krim është edhe të qeverisësh shtetin si të jetë pronë private.

Adem Grabovci është sinonim i modelit të qeverisjes së PDK-së, është model i qeverisjes që nuk njeh interesin e qytetarit, por vetëm interesin personal dhe të militantit partiak. Është model i qeverisjes së “grabovcëve”, i qeverisjes së “shefave” që vendosin për gjithçka dhe nuk i lënë asgjë rastësisë.

Adem Grabovci është vetëm një piun në lojën e madhe dhe të fëlliqtë të kapjes dhe dhunimit të shtetit. Është veç njëri nga shefat e partisë, që vendin e konsideron shtet-parti.

Andaj, të protesosht kundër kësaj kaste të njerëzve që na udhëheqin është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet vendit. Të protestosh kundër këtyre njerëzve që nuk njohin rregull as ligj është kontribut për të ardhmen, është patriotizëm.

Vetëm bazuar në ato që janë publikuar deri tash në përgjime, organet e drejtësisë kanë material të bollshëm për të vepruar seriozisht.

Të paktën bazuar në nenin 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në të cilin thuhet: “Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Për qëllime të këtij neni, shpërdorimi i detyrës zyrtare përfshin, por nuk kufizohet në: shkeljen me dashje apo me dijeni të ligjit lidhur me detyrat apo punësimin e zyrtarit…”.

Nuk ka rast më të mirë për Prokurorinë që të dëshmojë se është në shërbim të drejtësisë dhe të qytetarëve të Kosovës, e jo në shërbim të këtyre njerëzve që kontrollojnë çdo pore të jetës.

Organeve të drejtësisë iu mbetet ta kryejnë punën e vet, ndërkaq qytetarëve të dalin dhe të protestojnë masivisht, për të kundërshtuar këtë sistem që po na fundos.

Shteti nuk është as i Adem Grabovcit, as i Hashim Thaçit, as i Isa Mustafës. Ai është i yni dhe ne duhet ta mbrojmë.

Të ngjashme