Trump shuplakë atyre që ëndërronin për aleanca të përjetshme

Prishtinë | 17 Jan 2017 | 10:28 | Nga

Nga Genc Burimi

Një miku im gazetar në Tiranë që për deontologji nuk po ja përmend emrin, guxoi të më trajtojë në një bisedë që pati së fundmi me Ismail Kadarenë si anti-amerikan. Ai nisej nga disa shkrime dhe qëndrime të mija kundra verbimit që na hodhi si me magji ambasadori amerikan z.Lu për të na imponuar një bastardim të kushtetutës në emër të reformës në drejtësi. Të duash të ruash një parcelë minimale sovraniteti, siç është kushtetuta, nga influencat e një fuqie të huaj, nuk do të thotë domosdoshmërisht se je kundra këtij shteti të huaj. Njihet shprehja “Të qeverisësh është të parashikosh” me autor gazetarin francez të shekullit të XIX Emil Dë Zhirardin që e quanin ndryshe dhe Napoleonin e Shtypit. Të gjithë ato shtete në botë që e kishin bazuar të ardhmen e tyre në fushën e sigurisë, tregtisë, të të drejtave të njeriut tek Washingtoni, me siguri që e meditojnë gjatë tani shprehjen e mësipërme. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë kurre, aleanca apo vëllazërira në jetë të jetëve apo epitete të tjera idiote të këtij lloji. Që nga traktati i Vestfalisë (1648) që shënoi lindjen e sistemit ndërkombëtar modern, marrëdhëniet midis shteteve dominohen nga mbrojtja e interesave egoiste të secilit vend. Vetëm në gjirin e Internacionales socialiste (ish-Kominformi), udhëheqësit komunistë besonin se lidhjet mes popujve proletare ishin më të forta se interesat e ngushta kombëtare që mund të kishin qeveritë e këtyre vendeve. Në emër të këtij parimi, Enver Hoxha ishte gati ta mbyllte gojën për një kohë të gjatë mbi Kosovën po të mos kish qenë dëbuar Tito nga Stalini prej kampit socialist si tradhtar. Stalini u bë më pas “vëllau” i ri i Shqipërisë…. Kulmi i shprehjes së interesave egoiste të kombeve “shkëlqeu” më 1938, me të famshmen marrëveshje të Munihut. Asajkohe, fuqitë e Europës Perëndimore (Britani e Madhe dhe France) përfaqësonin për demokracitë e reja të Europës qëndrore dhe lindore, atë idhull, atë garanci, atë aleancë, atë shpresë që përfaqësojnë sot SHBA-të për një numër vendesh në botë. Fuqitë europiane të asajkohe preferuan t’i braktisin demokracitë e “vogla” fqinje sepse menduan pikësëpari tek interesat e tyre të ngushta kombëtare. Fakti që ishte nënshkruar një aleancë nuk shërbeu asgjë… Si mos të rrënqethesh kur dëgjon sot Merkelin të shprehet se “lidhjet transatlantike nuk japin garanci për vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë në fushën e sigurisë (me SHBAtë), ndaj ne duhet të punojmë vetë mbi këtë”. Në Shqipëri, ata që si Koço Kokëdhima kritikuan atë gabim të Edi Ramës që po na fuste në kushtetutë (dhe na e futi), praninë amerikane në procesin e ndërtimit të ngrehinës së drejtësisë në Shqipëri, çfarë thanë më shumë se ç’po thotë zonja Merkel sot? Thamë reformë në drejtësi po, por të futësh një fuqi të huaj në Kushtetutë në asnjë mënyre jo! A na bënte kjo anti-amerikanë? Aspak! Përkundrazi, ne respektonim kalendarin elektoral amerikan dhe vullnetin e popullit amerikan, ku vetëm tre muaj më pas mund të sillte në fuqi (siç e solli), një president që e kishte bërë të qartë se do t’a ç’angazhonte Amerikën nga aferat e botës ku ajo nuk ka më interesa vitale. Çfarë i duhej zotit Rama më shkoqur se kaq, se ti mund ta kesh vëlla sa të duash Amerikën, por Amerika e re ka vendosur të ketë për “vëllezër” vetëm shtetasit e saj? Mesa duket shprehjen “të qeverisësh është të parashikosh”, qeveria jonë e kishte kuptuar “të qeverisësh është të bësh “show” me më të fortët e planetit. The show is over… Trump vë pikat tek I-ja si “Interesa kombëtare” Jo vetëm që më ardhjen e Tramp shfaqja mbaroi, por po kalohet tek ekstremi tjetër, paniku ! Në fakt është presidenti i ri amerikan që po u bën nderin më të madh atyre liderëve në botë që po panikohen. Ai po u tregon se në politikë, ka vetëm një “fener ndriçues”: ai është populli yt dhe interesat e tij, dhe s’mund të jetë kurrsesi tutori i popullit tënd. Ky ishte dhe kuptimi i intervistës aq të bujshme që presidenti i ri amerikan dha dje për herë parë për mediat evropiane (Times dhe Bild). Një botë po përmbyset… Ndërkohë që BE-ja e ka vënë prej kohësh Rusinë nën embargo duke e cilësuar si një kundërshtar me të cilin asnjë kompromis nuk mund të shpresohet që prej ndërhyrjes së rusëve në Ukrainë, Donald Trump i propozon Rusisë heqje të sanksioneve pas një marrëveshje mbi pakësimin reciprok të stoqeve të armëve bërthamore. Interesi për amerikanët, është i qartë ekonomik si dhe në luftën kundra terrorizmit islamist. Në emër të këtyre interesave amerikane Trump është po ashtu gati t’i kthejë kurrizin NATO-s siç e deklaroi në intervistë duke e cilësuar Aleancën atlantike si një organizatë të vjetruar. Për Trump, NATO nuk po lufton kundra terrorizmit, dhe për më tepër kjo organizatë u kushton shtrenjtë taksapaguesve amerikanë që përballojnë 70% të buxhetit të NATO-s. Shigjetat edhe më të hidhura, Trump ia lëshoi drejtpërdrejt evropianëve, që sipas tij Gjermania po i tërheq prej hundësh. Ndërkohë që vetë Gjermania mban sipas tij mbi supe përgjegjësinë katastrofike të futjes së një milion refugjatëve në Europë. Më mirë të ishte angazhuar në Siri për t’i ndihmuar atje sirianët sesa t’u hapte dyert në Europë tha Trump në lidhje me Gjermaninë. Ngaqë Gjermania bën çfarë të dojë me Europën prandaj dhe Britanikët ikën duke votuar për Brexit-in u shpreh Tramp i cili parashikon se dhe një numër vendesh të tjera do ta lënë Bashkimin Europian. Biles Trump do të kontribuojë në një fare mënyrë në këtë shpërbërje të BE-se duke u angazhuar në intervistë të ndihmojë popullin britanik me marrëveshje tregtare speciale meqënëse BE-a do ia mbyllë tregun e saj Britanisë së Madhe për ta ndëshkuar atë. Quo vadis diplomacia shqiptare? Ne shqiptarët nuk duhet të harrojmë se BE-ja është fuqia tjetër e huaj përpos SHBA-ve që Kushtetuta jonë i ka pranuar në gjirin e saj për të monitoruar sistemin e drejtësisë në Shqipëri nëpërmjet vettingut. A do të ketë një rikalibrim të kursit diplomatik të zotit Rama pas zhvillimeve të ethshme planetare që po shfaqen ne horizont? Po me Kosovën, që është më e kërcënuara nga një ndryshim aleancash, a mund të imagjinohet organizimi i një force ushtarake të përbashkët tani kur do të dëgjojmë gjithnjë e më shpesh në Europë e deri në Azi thirrjet “olele për vete?” Sido që të jetë, në Europë, ky “ri-kalibrim” I diplomacisë europiane po fillon. Kanë qenë të panumërta dje deklaratat e liderëve europianë pas shpalosjes së tezave të Trumpit në shtypin europian. Merkel dje në konferencë shtypi deklaroi thjeshtë por qartë: “Mendoj se për ne Europianët tani është më se e qartë, e kemi vetë në fatin tonë ne duart tona”. Ah sikur ta dëgjonim të paktën një herë këtë shprehje nga një líder shqiptar që gjithmonë kanë ulur kurrizin si lakenj. Për ministrin e jashtëm francez Ayrault “përgjigja më e mirë ndaj intervistës së presidentit amerikan është uniteti i europianëve”. Dhe për Shqipërinë, përgjigja më e mirë ndaj zhvillimeve të papritura ndërkombëtare është uniteti i shqiptarëve e në radhë të pare të klasës së tyre politike që ende diskuton vjedhjen e votës kur bëhet fjalë për sigurinë e shqiptarëve, si atë ekonomike dhe atë ushtarake. Ndërkaq ministri i spanjoll i punëve të jashtme Alfonso Dastis nuk do ta besojë se një faqe po mbyllet në historinë midis Europës dhe SHBA-ve, duke deklaruar se shpreson shumë që Trump të ndryshojë mendim. Por nuk është vetëm me Europën që Trump po tregon një ndryshim radikal të strategjisë së SHBA-ve. Ai s’ka frikë ta bëjë këtë as në lidhje me konfliktin palestinezo-izraelit ku Perëndimi në tërësi është përpjekur gjithnjë të tregohet i ekuilibruar. Për Trump, palestinezët nuk mund të kenë asnjë pretendim mbi Jeruzalemin që duhet të jetë sipas tij kryeqytet i padiskutueshëm i Izraelit. Për ta dëshmuar këtë, Trump po angazhohet ta transferojë ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Aviv-i në Jeruzalem duke e lënë Europën të shokuar nga kjo sipërmarrje. Trump po u tregon “kokën” e tij të veçantë jo vetëm kancelarive por dhe firmave shumëkombëshe. Ai kërcënon prodhuesit e makinave se nëse instalohen në Meksikën fqinje në mënyrë që të shesin më pas makinat e prodhuara lirë jashtë në tregun amerikan ku ka fuqi blerëse, atëherë ai do t’i ndëshkojë ato me taksa të larta doganore. Këtë kërcënim Trump ja bëri dje në intervistë dhe BMW-së gjermane që synon të instalohet në Meksikë, pasi ia kishte bërë të njëjtin shantazh para disa ditësh dhe Toyotas japoneze apo dhe firmave amerikane General Motors dhe Ford që prashikojnë si Toyota të investojnë mbi një miliard dollarë në ngritje uzinash në Meksikë. E trembur nga kërcënimi i Trump për vënien e një taksë doganore prej 35% firma Ford vendosi të heqë dorë nga investimi në Meksikë. Zërat që pretendojnë se kjo politikë proteksioniste e Trump në vend që të mbroje interesat e punonjësve amerikanë i dëmton ato, morën si përgjigje parashikimet e fundit të FMN-së që sheh tek ardhja e Trumpit në pushtet më shumë rritje për ekonominë amerikane më 2017 dhe 2018. Tirana zyrtare duhet t’u kushtojë vëmendjen maksimale zhvillimeve më të fundit që prekin marrëdhëniet e reja të SHBA-ve me Bashkimin Europian. Çdo krisje midis tyre do të jetë fatale për Shqipërinë që e ka bërë këtë çift unikal deri tani si tutorin madhor të reformimit të Shqipërisë. Kur ndahen prindërit me kë do të shkojë fëmija? Më e mira do të kishte qenë ta kishim evituar këtë situate dhe të mos ishim treguar si fëmijë që na marrin prej dore, por më dinjitozë për t’i marrë hallet tona mbi supet tona. Po ashtu, Tirana e Edi Ramës ka qenë dhe është aleate e ngushtë, “vëllazërore” me Turqinë e Erdoganit. Por ja që dhe kjo e fundit po i kthen kurrizin NATO-s dhe SHBA-ve. Jo për ndonjë simpati të veçantë për Putinin, por për interesat e larta të popullit turk që nuk i leverdiste të krijohet një Kurdistan në kufirin e saj, siç i interesonte administratës së Obamas. Si do të manovrojë në këtë situatë të re “timonieri” ynë? Fati që na jep demokracia është se siç ndryshuan udhëheqësit në Washington, ashtu mund të ndryshojnë dhe ata në Tiranë. Me udhëheqës të rinj ka gjithmonë shpresa për aleanca të reja, për të qëndruar fundi i fundit tek aleancat tradicionale: me demokracitë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme