Trumpi i paparashikueshëm dhe instinktiv

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 13:39 | Nga Blend Lami

Veprimet e fundit të presidentit amerikan tregojnë se kemi një Trump të paparashikueshëm dhe instinktiv, i cili demonstron hapur se SHBA ndëshkon atëherë kur asnjeri nuk e pret, shkruan Lami. Ky është një sinjal jo vetëm për Rusinë – aktualisht aktore kryesore në konfliktin sirian, por edhe për të gjithë aktorët që kërkojnë të përfitojnë nga një Amerikë e tërhequr.

Gjatë fushatës elektorale, si dhe gjatë ditëve të para në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump u shfaq si një figurë që në politikën e jashtme amerikane do të ndryshonte nga paraardhësi i tij në detyrë. Së pari, cilësia më thelbësore e Trump-it – paparashikueshmëria e tij – tronditi si rivalët, ashtu edhe aleatët e tij. Së dyti, u duk se formatimi i politikës së jashtme amerikane do të bazohej më shumë në instinktin e presidentit se sa në një strategji të stërholluar, ndërsa strategjia e ka karakterizuar gjithmonë SHBA-në në dominimin global. Kështu po sendëzohej doktrina Trump, e bazuar në këto dy karakteristika: paparashikueshmëri dhe instinkt. Në bazë të këtyre dy karakteristikave, rivalët duhej të ishin gjithmonë në gatishmëri, ndërsa aleatët duhej të kishin plan rezervë, atë të përshtatjes me politikat e superfuqisë botërore. Me fjalë të tjera, si rivalët ashtu edhe aleatët duhej të ishin në gjendje alarmi për të ndryshuar strategjitë afatgjata, për të shmangur përplasjen me SHBA-në.

Teksa po mbushen njëqind ditë në presidencë, Trump i ka lëvizur këto dy leva në mënyrë efikase, gjë që u demonstruar së fundmi në sulmin mbi Sirinë.

SHBA bombardoi më 6 prill bazën siriane të Shyrat-it, nga e cila besohet se është ndërmarrë sulmi me armë kimike mbi territorin e kontrolluar nga opozita në krahinën e Idlib-it. Duhet theksuar se ky sulm ndodhi, pasi Trump kishte deklaruar shpesh se nuk do të luftonte kundër forcave qeveritare siriane. Një arsye më shumë, për të mos goditur Sirinë, ishte edhe përfshirja e Rusisë në teatrin e luftës, gjë që e kufizonte SHBA-në në veprime ushtarake, aq më tepër në bombardimin e një bazë ushtarake. Por, nga ana tjetër, ishte momenti për t’i dhënë sinjal Rusisë se SHBA kanë pozicionin e tyre të pashmangshëm si aktor kryesor në Lindjen e Mesme. Kjo është perspektiva e paparashikueshmërisë.

Pas sulmit sirian me armë kimike, Trump u gjend në një pozicion që të vinte në punë instinktin “vrasës”. Duke lënë mënjanë për një moment anën humanitare, Trump, ndonëse pa pasur strategji të deklaruar, me anë të këtij sulmi, sfidon (sërish) presidentin Obama, i cili në vitin 2013, pavarësisht se i kishte dhënë ultimatum Sirisë për mospërdorimin e armëve kimike (kërcënimi amerikan ndaj Sirisë për të mos shkelur vijën e kuqe), u “frikësua” të ndërhynte ushtarakisht. Kështu, Trump po luan politikisht. Nxjerr në pah dobësinë që i është veshur Obamës në lidhje me dështimin e këtij të fundit për ndërhyrje ushtarake, dhe ia heq Amerikës barrën e të qenit e dobët – në sytë e publikut ndërkombëtar.

Ish-sekretari i mbrojtjes, William Cohen, deklaroi pas bombardimit të bazës siriane se “Një sulm nuk përbën një strategji” – gjë që sinkronizohet me linjën Trump, pavarësisht se Cohen kritikon. Në këtë aspekt, politika amerikane ndaj Sirisë mbetet e paqartë. Siç u përmend më sipër, administrata Trump ka theksuar shpesh se, në kundërshtim me administratën e mëparshme, nuk është për ndryshim regjimi në Siri. Gjithashtu, Trump është shprehur se Assadi duhej lënë të luftonte kundër ISIS-it. Vetëm javën e kaluar sekretari i shtetit, Rex Tillerson e riafirmoi këtë qasje, ndërsa theksoi se “prioriteti ynë në Siri nuk ka ndryshuar. Mendoj se presidenti e ka bërë të qartë. Para së gjithash, duhet të sfidojmë ISIS-in”. Ky orientim në politikën e jashtme u ripërsërit nga sekretari i shtypit, Sean Spycer, ditën e sulmeve. Gjatë natës, në mënyrë krejt interesante për këtë analizë, kjo politikë ndryshoi dhe SHBA bombardoi Sirinë.

Pra, kemi një Trump të paparashikueshëm dhe instinktiv, i cili demonstron hapur se SHBA ndëshkon atëherë kur asnjeri nuk e pret. Është një sinjal jo vetëm për Rusinë – aktualisht aktore kryesore në konfliktin sirian, por edhe për të gjithë aktorët që kërkojnë të përfitojnë nga një Amerikë e tërhequr. Për më tepër, veprimi i Trump-it “njollos” Obamën, duke u shfaqur si president i fortë. Me sa duket, në frymën e doktrinës Trump që po formatohet, është koha që Trump duhet të “prishet” me Rusinë (pas akuzave të shumta për mënyrën e sjelljes ndaj Rusisë) dhe të “shkëputet” nga doktrina Obama (në dukje e mekët).

Në këtë prizëm, sulmi në Siri nuk është sinjal vetëm për Assadin, dhe mbështetësin e tij kryesor, Putinin. I tregon gjithashtu Iranit – gjithashtu, mbështetës i Assad-it – se përplasja me SHBA nuk është e këshillueshme. Është gjithashtu paralajmërim për Korenë e Veriut, e cila duket se ka mbështetjen e Kinës, e cila paralajmërohet gjithashtu tërthorazi. Në një intervistë televizive, Trump tregon – me ironi – se kur raketat qenë nisur për në Siri, po hante ëmbëlsirë me presidentin kinez Xi Linping, i cili mbeti i shokuar.

Në vijim të linjës së këtij shkrimi – në lidhje me mënyrën se si është ndërtuar deri më tani doktrina Trump në bazë të papara-shikueshmërisë dhe instinktit trumpian – mund të citohet analisti i njohur i CNN dhe New York Times, Fareed Zakaria, i cili shkruan: “Duhet të pyesim veten se cilin Trump duam të shohim: një Trump që kundërshton vetveten apo një Trump që ndjek agjendën e fushatës?”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme