Vendi im, ndryshe

Prishtinë | 03 Tet 2017 | 22:21 | Nga Lumbardha Lutolli

Ditë e premte, në mbrëmje… Lodhja nga puna në sektorin privat ishte akumuluar për pesë ditë rresht dhe sikur trupi dëshironte të çlodhej nga përditshmëria e vobektë që përjetonte ky i punësuar.

Përvoja e tij e punës tani kishte kaluar një dekadë, duke u paguar me pagën minimale. Madje shpeshherë paguhej nën nivelin e pagës që në termat e ekonomisë konsiderohet punësim jovullnetar, kur individi detyrohet të punojë pavarësisht pagesës për shkak të obligimeve të pashmangshme jetësore.

Kjo rutinë po vazhdonte qe dhjetë vjet edhe pse për nga aftësitë që kërkonte tregu i Kosovës konsiderohej specialist i fushës. Ishte pjesëmarrës aktiv në zgjedhjet nacionale e lokale, si qytetar i barabartë i këtij vendi të lirë e sovran. Dhe për çudi sa herë kishte marrë pjesë në zgjedhje, asnjëherë preferencat e tij partiake nuk kishin qenë të njëjta. Çdoherë si i hutuar ndryshonte orientimet e tij politike, herë majtiste, herë djathtiste. Mbase këtë e bënte nga doza e dyshimit që kishte krijuar gjatë këtyre viteve në vendin e tij të lirë. Situata që mbizotëronte pas 18 vitesh në vendin e tij, as edhe në kalkulimet më të sofistikuara që daja i tij dikur matematicient i kishte bërë në qershorin e vitit 1999, tek mblidhte librat e mbetura nga shkatërrimi i luftës, në një fletore të thjeshtë, ishte përpjekur të nxirrte një përqindje të rindërtimit të vendit duke marrë në konsideratë shumicën e indikatorëve para dy dekadash. Mirëpo daja, atëbotë i shquar ndër rreth, nuk e kishte futur në emërues të përbashkët variablën më të rëndësishme, që nesër do të tregohej si treguesi më i rëndësishëm matematikor që ka ndikuar që vendi i dajës dhe tij të vinte në pragun e rrezikut ,aty ku edhe stoqet (rezervat) e prodhimit fillojnë të brengosen për fatin e tyre në depo.

Kjo variabël që daja matematicient kishte harruar te fuste në ekuacionin e tij të thjeshtë shpjegohet që në emërues të përbashkët,nuk kishte futur shumën e individëve potencialisht të uritur dhe lakmitarë që kanë aftësi të marrin gjithë thesarin e begatë të së ardhmes së këtij vendi vetëm për veten e tyre dhe të afërmve. Pas 18 vitesh, ky emërues potencial u bë aktual dhe përcaktues real i rëndësishëm i fatit të popullsisë së këtij vendi, ku shumica e tyre kanë humbur shpresën që kjo shumë matematikore ndonjëherë do te zbërthehet dhe do të largohet nga emëruesi i zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës.

Dhe në pasditen e tij, në Prishtinën të cilës ia fali çdo minutë të këtyre viteve, afër tridhjetë, sytë e përlotur tregonin sinqeritetin e një të riu të zellshëm e punëtor, tek shoqërohej tok me tingujt e zërave të zemëruar të kushërinjve të kuçedrës që vinin nga TV-ja që e shoqëronte në atë të premte shtatori, kur befas u plotësuan edhe me sulme fizike. Dhe lotët e tij, të një njeriu të pashpresë e modern, u thanë; por zemra e tij e butë filloi të rrihte me shpejtësi dhe sikur ndjeu diçka të thellë, një ankth e dëshpërim mu në mes të gjoksit. Si i habitur belbëzoi fjalët e dajës matematicient se njerëzit jetojnë në universe paralele, aty në njërën anë shuma e këtyre individëve (shuma matematikore e harruar në kalkulim) dhe në anën tjetër ai dhe shumë të tjerë si ai, që nesër do të ngrihen herët të venë në punë dhe të japin kontributin e tyre qytetar në zhvillimin e denjë të vendit, por edhe votimin që do të ndodh në fundin e tetorit të zhurmshëm. Por rezultatet e tij i duken të largëta, një perspektivë e zbehur, por e vërtetë…

(Autorja është kandidate e studimeve të doktoratës në Fakultetin Ekonomik, UP)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme