AAK hap fushatën, thotë se ndryshimi ka filluar

Prishtinë | 21 Sht 2017 | 17:42 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pasi ka kryer orarin zyrtar të punës së kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj iu është bashkuar kolegëve të tij nga partia për ta hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Motoja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) gjatë 30 ditëve të ardhshme do të jetë “Ndryshimi ka filluar”, një aludim ky që lidhet me marrjen tashmë të drejtimit të qeverisjes nga Ramush Haradinaj.

E kreu i AAK-së, tashmë kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se pas orës 17:00 të orarit të punës, do shërbejë për kolegët e partisë, pasi që kanë nevojë për përkrahje.

“Nga këtu sot e kërkojmë votën e qytetarëve për kandidatët tanë, dhe jo vetëm kaq, por për ndryshimin që ka filluar”.

“Para vetes kemi shumë punë si Kosovë, megjithëse si vend kemi dhe të arritura…Duhet të arrijmë të qytetari përmes qeverisjes së mirë”, ishte porosia e Haradinajt.

“Mund të them se minatorët e Trepçës kanë me shumë shpresë tani, pacienti në shëndetësi do të ketë më shumë të drejta sesa deri më tani”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, shndërrimi i FSK-së në ushtri mund të bëhet në një kohë të shkurtër.

Haradinaj: Heqja e vizave nuk do të vonohet nga Demarkacioni

Në tubimin hapës të fushatës zgjedhore, kryeministri Haradinaj foli dhe për çështjen më të vështirë që e pret gjatë qeverisjes së tij – demarkacionin që lidhet me  liberalizimin e vizave.

Haradinaj beson se heqja e vizave nuk do të vonohet nga ratifikimin i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Për liberalizimin e vizave, ai tha se kushti i parë është rendi dhe ligji. “Luftimi i korrupsionit, por kusht i rëndësishëm është edhe MSA-ja. Do t’i përshpejtojnë vendimet tona. Ministritë adekuate sot kane para vetes punë për të bërë. Kriter tjetër është demarkacioni”.

“Nesër, Qeveria e voton Komisionin për Demarkacion. Që nesër fillojmë me punë, për të gjetur fakte se opsioni i tashëm është gabim – kjo temë nuk po rrin në sirtar”.

Sipas tij, Brukseli e vlerëson se kjo temë është në proces. “Nuk do të lidhet afati i kësaj teme me afatin e liberalizimit. Nuk duhet të lidhet demarkacioni me vizat”.

Kuçi: Ndryshimi ka ardhur!

Krahas liderit Haradinaj, i vetmi që ka folur në këtë tubim hapës të fushatës ishte sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, Blerim Kuçi.

Kuçi u shpreh se viti 2017 është vit i ndryshimit për Kosovën dhe për komunat.

“Kosova ka fituar, ndryshimi ka ardhur më 2017. Kosova ka ndryshuar, e bashkë me të do të ndryshojnë edhe komunat”, tha ai.

Të ngjashme