Abdixhiku: Prishtinës do t’i shtohen nga 4 milionë € në vit

Prishtinë | 12 Mar 2018 | 18:11 | Nga

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se sot në Kuvend është mbështetur amendamenti i tij për Ligjin për Kryeqytetin, me çka Prishtina do t’i marrë 6% të grantit vjetor e që në shifra i bie 4 milionë euro në vit me mundësi rritje.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur të ju njoftoj se sot në Kuvend u mbështet amendamenti im bërë Ligjit të Kryeqytetit – me të cilin ndryshim Prishtina do t’i marrë 6% të grantit në vend të 4% sa parashihej fillimisht me ligj. Me këtë ndryshim buxhetit të Prishtinës do t’i shtohen edhe nga 4 milionë euro tjera në vit – secilin vit – me mundësi rritjeje për aq sa rritet Buxheti i Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Tutje deputeti ka thënë se për 4 vitet e ardhshme kjo shumë shtesë pritet të kalojë mbi 20 milionë euro dhe se me këto mjete mund të ndërtohen plot rrugë, çerdhe, shkolla apo edhe qendra mjekësore në Prishtinë.

“Prishtina vazhdon të jetë kontribuesi më i madh i Buxhetit të Kosovës; por njëkohësisht përfituesi më i pakët i investimeve kapitale. E pavarësisht bindjeve politike, Kryeqyteti mbetet i të gjithëve dhe duhet të trajtohet si i tillë. Dhe ky është një kontribut modest i imi për Prishtinën; qytetin ku kam lindur – qytetin që m’ka rritë me plot sfida e plot dashni. Në emër të banorëve të Prishtinës, falënderoj secilin në Komision për Administratë Publike që mbështeti amendamentin tim”, thuhet në postimin e deputetit.

Vitit të kaluar, deputetët e Kuvendit e kishin miratuar në parim Projektligjin për Prishtinën. Ai tani po plotësohet me amendamente në komisione.

Të ngjashme