Qeveria miraton Marrëveshjen për Sigurime Sociale me Zvicrën

Prishtinë | 13 Jan 2017 | 09:53 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës miratoi sot Nismën e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Konfederatës së Zvicrës dhe Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se kjo nismë është shumë e rëndësishme pasi ka nevojë për sigurime sociale për qytetarët dhe e ka quajtur këtë hap si sukses të Qeverisë.

“Unë e konsideroj se është një hap shumë i rëndësishëm, sepse ka pas shumë probleme sa i përket sigurimeve sociale me Zvicrën dhe mendoj se është një sukses i Qeverisë që ne ta përmbyllim këtë proces tepër të rëndësishëm që drejtpërdrejt adreson problemet e qytetarëve tanë që kanë punuar atje”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Social, Arban Abrashi, ka thënë se qytetarët e Kosovës që kanë vepruar në Zvicër e që jetojnë në Kosovë do të mund të marrin pension në Zvicër.

Abrashi ka theksuar se javën e ardhshme ekipi negociator qëndron në Zvicër. Këtë nismë e ka quajtur si hap të rëndësishëm për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje të rëndësishme për bashkatdhetarët tanë dhe më gjerë.

Ai ka theksuar se edhe pala zvicerane ka shprehur interesim për të filluar negociatat për arritjen e marrëveshjes për sigurimet sociale me shtetin e Kosovës.

“Nisma për arritjen e marrëveshjes për sigurimet sociale me Konfederatën e Zvicrës ka ardhur si rezultat i zbatimit të plotë të marrëveshjes e cila ka zgjatë për të huajt nga ana e ministrisë, e cila ka qenë edhe bartëse e procesit të marrëveshjes në fjalë”, ka thënë Abrashi.

Ai ka theksuar se efektet pozitive që do të dalin nga kjo marrëveshje janë të mëdha për qytetarët e Kosovës të cilët kanë punuar dhe punojnë në Zvicër.

“Qytetarëve të dy shteteve do t’u mundësohet lëvizja e lirë që të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre siç janë: Pensionet e moshës, pensionet  familjare, pensionet e invalidëve të punës dhe të drejta tjera nga fusha e sigurimit social. Në veçanti me këtë marrëveshje qytetarëve të Kosovës të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Konfederatën e Zvicrës do mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejtë që pensionin e tyre ta marrin në shtetin e tyre në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Abrashit, MPMS-ja si bartëse e këtij procesi në bashkëpunim me institucione tjera relevante do të angazhohet në negocimin e kësaj marrëveshje, duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera.

rendi i qeverise

Të ngjashme