Abrashi, opozitës: Ua privuat lëvizjen e lirë qytetarëve me kauza të rrejshme

Prishtinë | 11 Kor 2016 | 17:31 | Nga

Ministëri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka kritikuar opozitën për qëndrimin e tyre kundërshtues ndaj demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Përmes një statusi në Facebook, Abrashi ka thënë se përfaqësuesit e opozitës, “në pamundësi për t’u takuar me zyrtarët ndërkombëtarë për shkak të veprimeve të tyre kundër-institucionale, po tentojnë të manipulojnë me opinionin publik”.

“Ata u përpoqën të manipulojnë me qëndrimin afirmativ të Presidentit Obama për demarkacionin të shtatorit 2015 si dhe synuan ta keqinterpretojnë deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit të dhjetorit 2015 e cila thotë qartë se kufijtë e përshkruar në vitin 2008 përputhen në hollësi me kufirin e propozuar në vitin 2015. Sikur mos t’iu mjaftonin këto deklarata “ekspertëve” opozitarë, dje, Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Nuland e qartësoi përfundimisht për të gjithë se debati rreth demarkacionit është artificial dhe i sajuar”, ka thënë Abrashi, duke postuar edhe përgjigjen që Nuland e dha për këtë çështje: “Ne jemi mbështetës të fuqishëm të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi sepse kjo është çështje e sovranitetit për Kosovën. Vendeve sovrane u duhen kufij stabil dhe të sigurt. Është diçka që duhet ta bëni për të ardhmen tuaj. Sinqerisht, nga këndvështrimi ynë, i tërë ky debat rreth kësaj çështjeje është relativisht artificial. Është problem i sajuar dhe sinqerisht, ne dëshirojmë ta shohim Kosovën duke pasur mundësi për integrim më të thellë në Evropë”, ka shkruar Abrashi.

Ministri Abrashi thotë se Qeveria e Kosovës ka qenë vazhdimisht e hapur për dialog me opozitën dhe e gatshme për të shqyrtuar argumentet e opozitës rreth demarkacionit.

Por, sipas tij, “tashmë është e qartë se për këtë opozitë më i rëndësishëm ka qenë privimi i qytetarëve të Kosovës nga lëvizja e lirë në Evropë në emër të një kauze të rrejshme sesa zgjidhja e problemeve dhe integrimi i vendit në BE”.

“Pra, mos e gënjeni veten dhe qytetarët, SHBA-të e mbështesin marrëveshjen e demarkacionit dhe që ajo të kryhet gjatë kësaj vere. Pikë”, ka komentuar Abrashi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme