Abrashi premton 6 000 parkingje në Arbëri

Prishtinë | 15 Tet 2017 | 20:04 | Nga

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi, gjatë një tubimi me qytetarë në lagjen “Arbëria” ka prezantuar planin e tij për investime, i cili parash uljen e tatimit në pronë, mirëmbajtën e parqeve dhe ndërtimin e 6000 mijë parkingjeve te Stacioni Hekurudhor.

“Është për të ardhur keq se si komuna e Prishtinë ka trefishuar tatimin në pronë dhe nuk ka realizuar asnjë projekt, madje të paktën nuk janë mirëmbajtur shkallët e Arbërisë që janë simbol i kryeqytetit. Qeverisjes së kaluar ju tepruan 80 milionë euro suficit dhe nuk arritën ta realizojnë asnjë projekt domethënës. Në vend se të investojnë, ata u morën me propagandë në rrjete sociale dhe Facebook. Jam i sigurt se qytetarët e Prishtinës me votë do t’i ndëshkojnë ata që ia humbën kryeqytetit katër vite nëpërmes stagnimit”, ka thënë Abrashi.

“Do ta kthej tatimin në pronë në pikën zero (siç ka qenë më 2013) dhe do ta bëjë rivlerësimin e pronave pasi që nuk është e drejtë qe t’iu rritet tatimi në pronë dhe të mos investohet asgjë. Duke u bazuar në kërkesat e banorëve do të investojmë në ndriçimin publik. Do t’i krijojmë 6000 parkingje, ku një pjesë do ta prek lagjen Arbëria, saktësisht tek stacioni hekurudhor”, ka thënë kandidati i LDK-së, për kryetar të Prishtinës.

Ai pohoi se do të bëjë trajtim më të mirë të mbeturinave, ndërsa për rritjen e nivelit të sigurisë planifikojmë vendosjen e kamerave në lagje dhe bashkëpunim më i gjerë me policinë.

“Do t’i mirëmbajmë parqet e kësaj lagjeje dhe krejt Prishtinës, sepse edhe ato parqe që u krijuan deri më 2013 u shkatërruar për mungesë kujdesi nga komuna. Ne do të ndërtojmë edhe hapësira të reja gjelbëruese dhe kënde të lojërave”, tha Abrashi.

Ai nënvizoi se do të evitohet problemi me kanalizim përmes kolektorëve dhe krijimit të një fabrike për trajtimin e ujërave të zeza në Fushë Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme