Abrashi shpalos platformën për rini, u premton qasje në administratë

Prishtinë | 13 Nën 2017 | 16:37 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, në “Konventën e Rinisë”, ka shpalosur platformën për rini.

Abrashi premtoi se të rinjtë e kryeqytetit do ta kenë mundësinë për qasje në administratë. Mirëpo, për këtë ka kërkuar ndihmën e të rinjve, raporton Ekonomia Online.

“Nuk kemi nevojë na me marrë shembuj nga rajoni por ata do të marrin shembuj nga Prishtina. Kemi mendu për të rinjtë për punësimin e tyre, për mundësi në inovacion dhe për fondin e të rinjve. Bazë do të jetë zhvillimi ekonomik i Prishtinës e me fokus të rinjtë e këtij qyteti. Të rinjtë e Prishtinës do të kenë mundësi të kenë qasje në administratë. Po për të arritur të gjitha këto na duhet ndihma juaj. Madje na duhet shumë”, u shpreh Abrashi para rinisë.

Abrashi ka thënë, gjatë këtij takimi me të rinjtë, se ekipi që ai drejton përbëhet nga të rinjtë më të mirë që i ka kryeqyteti, të cilët do ta drejtojnë Prishtinën në katër vitet e ardhme.

“Prishtina është kryeqyteti me popullsinë më të re në Evropë. Rinia do ta udhëheqë dhe do ta orientojë Prishtinën kah vlerat qytetëruese euro-atlantike. Të gjithë të rinjtë e Prishtinës, në ekipin e qeverisjes që unë do ta drejtoj, do të gjejnë përfaqësimin më të dinjitetshëm dhe më efikas për interesat e tyre. Lidhja Demokratike e Kosovës ka traditë dhe është dëshmuar se e është aftë dhe e gatshme për t’iu përshtatur proceseve reformuese të shtetit dhe shoqërisë tonë, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se LDK, si prijatare e të gjitha proceseve pozitive në Kosovë, e ka kuptuar mirë dhe e ka gjetur formën se si ta realizojë.

“Këtë mision, LDK-ja ka vendosur t’ua besoj të rinjve. Jo duke i lënë vetëm në mes të rrugës. Por, duke ua vënë në dispozicion dijen dhe përvojën e gjeneratës së artë të Kosovës, që artikuloi, mbrojti dhe përfaqësoi interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj për gati 30 vjet. Për vitet më të rënda, por edhe më të mirat e Kosovës”, ka thënë Abrashi.

“Sot, Prishtina ndodhet përpara një sfide të re, për kapërcimin e së cilës ne jemi të përkushtuar që bashkërisht të punojmë. Ne kemi dëshmuar që punojmë në shumë fusha për të përmirësuar jetën e njerëzve, të rinisë sonë të mrekullueshme, me investime të mëdha në sport, me rritjen e buxhetit për rini, me subvencionimin e shumë programeve dhe me përfshirjen e saj në shumë nisma rajonale dhe europiane”, pohoi Abrashi.

Ai nënvizoi se si kryetar i ardhshëm i Prishtinës, shpreh përkushtimin e parezervë për të rritur pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje.

“Vendimmarrja juaj nuk do të jetë e diktuar nga askush. Dhe as e orientuar nga remishencat e së kaluarës. Sepse, Prishtina është përpara një sfide përcaktuese: të ecjes ka zhvillimi ekonomik, integrimet europiane apo të regresit. Ju jeni dëshmitarë se në 4 vitet e kaluara u harrua rinia, u ulën subvencionet, u injoruan kuadrot e Prishtinës. Prandaj, në programin tim qeverisës për Prishtinën, një vend të posaçëm i kam kushtuar qasjes ndaj Rinisë”, ka thënë ai.

Abrashi pohoi se kryefjala e këtij programi është Fondi i Punësimit. “Kontrata ime 4-vjeçare me qytetarët e Prishtinës, në funksion të zhvillimit ekonomik konsiston në krijimin e Fondit të Punësimit. Ky fond do të krijohet për punësimin e të rinjve të Prishtinës. Brenda mandatit 4-vjeçar do të përkrahen mbi 30 000 persona duke i dhënë prioritet të rinjëve”, ka shtuar ai.

Abrashi është zotuar se në përputhje me rregullativën ligjore, “Pallati i Rinisë” do të kthehet në pronësi të komunës së Prishtinës.

“Një vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë edhe zbatimit të Programit tonë për sportin. Ky program parasheh intervenime dhe përkrahje sipas nevojave dhe kërkesave të sportistëve dhe të Klubeve në pajtueshmëri me kriteret e BE-së dhe institucioneve më të larta sportive, siç janë FIFA, UEFA, FIBA, IAAF, EHF etj. Do të investohet në potencialin ekzistues, masivizimin e sportit shkollor dhe rekreativ dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale në sport”, shoi ai.

Ai tha se është i bindur se më 19 nëntor, rinia dhe qytetarët tjerë të Prishtinës do t’i çojnë në shtëpi dembelët.

“Me mua kryetar, në Prishtinë do të punohet fort. Nuk do të dëgjoni asnjë ankesë. Por, do të keni adresë për ankesat dhe kërkesat tuaja. Me mua kryetar, në Prishtinë do të kthehen projektet e mëdha, të lëna pas dore nga qeverisja në shkuarje e Prishtinës. Prandaj, Ju ftoj të dilni të gjithë e të votoni për të ardhmen e Prishtinës. Vota për mua është votë për zhvillimin e Prishtinës. Për Prishtinën kryeqytet. Metropol”, tha në fund Abrashi.

Partneri i koalicionit Arbër Vllahiu tha se do të jenë një krah i fort për Arbanin dhe se ia uroj fitoren që tani.

“Për katër vjet do të jemi bashkë në aleancë me qytetarin e Prishtinës; do ta bëjmë bashkë me dashurinë më të madhe. Pallati i Rinisë më Arbanin do të jetë i juaji. Urime fitorja Arban”,  deklaroi Vllahiu.

Ndërkaq deputetja Vjosa Osmani shtoi se Arbani do të jetë kryetar që do të punojë me të rinjtë, e jo kryetar që i keqpërdor ata në shkatërrimin e qytetit tonë.

“Arban Abrashi do të jetë kryetar që do të punojë me të rinjtë e Prishtinës, e jo kryetar që i keqpërdor ata për shkatërrimin e qytetit ton, dhe se jam e bindur që rinia e Prishtinës, do t’ia kthej frymëmarrjen Prishtinës, dhe se të rinjtë e duan një kryetar të ri, me një ekip të ri”, ka thënë ajo .

Të ngjashme