Ahmeti pas tryezës së partive: Kuvendi të vendosë kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë

Prishtinë | 20 Qer 2018 | 13:10 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shpend Ahmeti, kryetar i Partisë Socialdemokrate, pas tryezës së partive politike tha se po kërkojnë që të arrihet një konsensus që procesin e dialogut me Serbinë ta caktojë Kuvendi se kush do ta udhëheq, raporton Ekonomia Online.

“Në po kërkojmë që Kuvendi të jetë bartës, nuk mund të kemi bartës të negociatave pa u caktuar roli i Kuvendit. Nuk mund të kalojmë mbi këtë proces duke thënë se Mogherini na ka ftuar, apo Vuçiq nuk diskuton me dikë tjetër, Kuvendi duhet të caktojë se kush do ta udhëheq, atë vendos Kuvendi se do zgjidhet negociatori me 2/3 apo shumicë të thjeshtë mbetet të diskutohet në ditët në vijim”.

“Ne kemi propozuar që dialogun ta udhëheq Kuvendi i Kosovës pasi që jena republikë parlamentare. Propozimi jonë për themelimin e një komisioni ad hoc për mbikëqyrjen e punës se dialogut sepse kushdo që e udhëheq t’i raportojë Kuvendit”.

Ahmeti foli edhe për fazën e re të dialogut me Serbinë të cilën sot para mediave e shpalosi, presidenti Hashim Thaçi.

Ai tha se Thaçi po shkon në Bruksel pa njoftuar se për çka do të diskutohet e çka parashihet në këtë fazë të dialogut, raporton EO.

“Ai njoftoi se do shkojë në raundin e ardhshëm, nuk e dimë se për çka po shkohet dhe nuk dihet tema e  diskutimeve”.

“Në Kushtetutë nuk parashihet dialogu me Serbinë për njohje të dyanshme, ne e kemi republikë parlamentare, në Kushtetutë është e qartë se është Kuvendi, nëse flasim për ratifikimin e një marrëveshje ndërkombëtare duhet 80 vota për miratim të saj, po kërkojmë një proces transparent, të jemi pjesëmarrës në mbikëqyrjen e dialogut”.

Ai sqaroi se në këtë tryezë kanë propozuar një deklaratë për të cilën nuk kanë marrë mbështetjen edhe të partive të tjera.

“Për konsensusin për disa procese të rëndësishme, dialogu e Serbinë dhe fuqizimi i rolit të Kuvendit në këtë proces. Kemi propozuar sot një deklaratë që të përafrohen disa qëndrime. Diskutimi ka qenë se kush ta udhëheq. Nuk ka dakordim të subjekteve politike me këtë tekst, LDK kanë propozuar që të diskutojmë vetëm për zgjedhje, PDK, AAK, Nisma pajtohen që të ketë konsensus për çështje të ndryshme, por jo të dakordohen në plotin me tekstin e propozuar nga ne”.

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues të PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës, Lëvizjes Vetëvendosjes si dhe Alternativës.

Mirëpo, aty nuk janë parë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, pasi që të njëjtit nuk janë ftuar nga PSD për të qenë pjesë e kësaj tryeze.

Tryeza më herët kanë mbajtur edhe Lëvizja Vetëvendosje, PDK-ja dhe LDK-ja. Përmes këtyre tryezave po synohet gjetja e një konsensusi për tema të rëndësishme në vend, kurse partitë opozitare kanë bërë edhe thirrje për caktimin e datës për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Të ngjashme