Aktivistë të PDK-së ia “prishin” përurimin Shpend Ahmetit

Prishtinë | 10 Gus 2017 | 23:04 | Nga Florian Syla Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Një grup të rinjsh, aktivistë të PDK-së, e kanë ndërprerë fjalimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, sonte gjatë një ceremonie përurimi.

Sikur shihet në video-incizimin e Ekonomia Online, të rinjtë ndërhyjnë derisa po fliste Ahmeti, gjatë përurimit të parkut sportiv te Palestra “1 Tetori” në kryeqytet.

Aktivistët e PDK-së thanë se po bëjnë të njëjtën gjë që dikur bënin aktivistët e Vetëvendosjes. “Veçse ne nuk po shkatërrojmë sikur bënin ata”, ka thënë njëri nga aktivistët.

Aktivistët mbanin letra “me zemra”, ku shkruhej se çka do Ahmeti: banesa, jaht, tendera për dosta etj.

Ata kanë kërkuar llogari për keqpërdorime gjatë qeverisjes së tij.

“Nga Shpend Ahmeti, kërkojmë ta ndërpres punën simbolike duke ofruar transparencë rreth keqpërdorimeve në ‘Lagjen Kodrina’”, tha Leutrim Retkoceri, anëtar i Kryesisë së Rinisë Demokratike të Kosovës, dega në Prishtinë.

“Para se Shpendi me Klanin e Dostave të prejnë shirita të korrupsionit, së pari duhet të sqarojnë keqpërdorimin në ‘Lagjen Kodrina’, të sqarojnë korrupsionin me tenderët e dhënë dostave, me punësimet partiake në komunë dhe në veçanti në arsim. Derisa Shpend Ahmeti të mos japë përgjigje për këto manipulime, as ne nuk do të ndalemi së kërkuari në të gjitha format llogari e transparencë nga ai dhe Partia VV”, theksoi Retkoceri.

Ai me këtë rast, edhe ia ka bërë kryetarit Ahmeti një dhuratë “simbolike” – një top me zemra që përmbanin mbishkrime “Korrupsion”, “Klani i Dostave”, “Leje ndërtimi”, “Shëngjini” etj.

“Topi simbolizon lojën e pistë që ai është duke bërë me qytetarët e Prishtinës”, u shpreh Retkoceri.

“Edhe juaji është ky park”, iu është përgjigjur kreu i Komunës, derisa ka ftuar të rinjtë e PDK-së t’i gëzohen këtij projekti.

Parku është investim i organizatës DEMOS dhe Komunës së Prishtinës, dhe ka kushtuar 220 mijë euro.

Të ngjashme