Ambasada e ShBA-së i jep mbështetje Kosovës për ndalimin e trenit nga Serbia

Prishtinë | 17 Jan 2017 | 18:09 | Nga

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet Ambasadës në Prishtinë, u kanë dhënë mbështetje autoriteteve të Kosovës në marrjen e vendimit për ndalimin e hyrjes së trenit nga Serbia për në territorin e Kosovës.

“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ne e respektojmë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë se kush dhe çfarë kalon kufijtë e saj”, thuhet në një qëndrim të publikuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Ambasada amerikane i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta shmangin retoriken e rrezikshme. “Na vjen mirë që nuk kishte konfrontime në kufi, por nga rritja e nacionalizmit nuk përfiton askush. SHBA-të përkrahin fuqishëm dialogun e moderuar nga Bashkimi Evropian si mënyrën më të mirë për të ecur përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bëjmë thirrje gjitha palëve që t’i shmangen retorikës së rrezikshme dhe të vazhdojnë të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e jetëve të qytetarëve të të dyja shteteve”, thekson deklarata.

“Sot festojmë ditëlindjen e Dr. Martin Luther King Jr., i cili kishte deklaruar se gjithmonë është koha e duhur për të bërë atë që është e drejtë. Tash është koha e duhur për të punuar për bashkëpunim dhe kundër konfrontimit”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme