Ambasada Gjermane dhe Franceze përkujtojnë viktimat e Luftës së parë Botërore

Prishtinë | 11 Nën 2017 | 12:54 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasada Gjermane dhe Ambasada Franceze në Prishtinë kanë përkujtuar viktimat dhe përfundimin e Luftës së Parë Botërore, me rastin e përvjetorit të 99-të të armëpushimit.

Ambasadori gjerman  Christian Heldt me këtë rast  përkujtimi tha se tmerret e luftërave i kanë bërë bashkë francezët e gjermanët, raporton Ekonomia Online.

” ..Që rreziqet nga konfliktet e armatosura në kontinentin tonë pas vitit 1945 nuk qenë parandaluar plotësisht, këtë e dëshmoi lufta këtu në vitin 1999. Për ne gjermanët ishte angazhimi i parë i armatosur në historinë e ushtrisë gjermane përkrah aleatëve tanë. Në këtë vend u desh të krijohet paqe pasi ajo ishte thyer nga ana tjetër. Për këtë arsye ne evropianët pa patos të shtrirë qëndrojmë pas nevojës për mbrojtje të vlerave tona në aleancën transatlantike. Kjo i ka kthyer Kosovës paqen dhe lirinë”, u shpreh ambasadori Heldt.

Në anën tjetër, ambasadori i Francës, Didier Chabert tha se nderimi që janë duke i bërë viktimave mundëson që të bëjnë matje si Europa është transformuar nga e kaluara.

‘’ Ajo që i lidh dy vendet tona tani e tutje është vizion i përbashkët i një Evrope të fortë, të lirë dhe të pavarur e cila nuk harron vlerat universale të të drejtave të njeriut ,mbi të cilat është themeluar. E cila i bashkëngjitet solidaritetit me botën që vuan, e është e angazhuar për ruajtjen e planetit dhe luftës kundër ngrohjes globale duke vënë në plan të parë mbrojtjen e qytetarëve para interesave financiare. Miqësia dhe bashkëpunimi franko-gjerman është shtylla kryesore e rë gjithë politikës në Evropë’’, tha Chabert.

Lufta e parë botërore filloi në vitin 1914 dhe mbaroi në vitin 1918. Në këtë luftë humbën jetën më shumë se 18 milionë njerëz. Një ndër betejat më të njohura të kësaj lufte është ”Beteja e Verdunit”. Betejë në të cilën morën pjesë 2.5 milionë të rinjë gjermanë e francezë. Ndërsa prej tyre humbën jetën 300.000 të tillë.

Nënshkrimi i armëpushimit në Compiègne, më 11 nëntor 1918, i ka dhënë fund luftimeve të Luftës së Parë Botërore.

Të ngjashme