Ambasadorë që e fuqizojnë Kosovën, jo që e dëmtojnë

Prishtinë | 27 Dhj 2017 | 08:19 | Nga

Përfaqësuesit e partive opozitare dhe të shoqërisë civile kërkojnë nga kryeministri Haradinaj që gjatë emërimit të ambasadorëve serbë t’i zgjedhin kandidatët që e përfaqësojnë denjësisht Republikën e Kosovës e jo ata që instrumentalizohen nga Serbia për ta dëmtuar vendin në arenën ndërkombëtare
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, para pak ditësh ka paralajmëruar se shumë shpejt do të ketë edhe ambasadorë serbë, të cilët do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në shtete të ndryshme të botës.

Por, përfaqësues të partive opozitare thonë se gjithçka do të ishte në rregull sikur këta ambasadorë t’i përfaqësonin denjësisht interesat e Republikës së Kosovës e jo ta dëmtojnë shtetin në aspektin diplomatik, duke u instrumentalizuar nga Serbia.

Pjesë e koalicionit qeverisës është edhe Lista Serbe, e cila, sipas opozitës në vend, është sabotuese e shtetësisë së Kosovës dhe është shprehur kundër formimit të ushtrisë së vendit, duke qenë kështu në një linjë me Qeverinë e Serbisë.

Megjithatë, ndryshe mendojnë zyrtarët qeveritarë në vend. “Përfaqësuesit e partive të komunitetit serb në Qeverinë e Kosovës dhe në Kuvend janë legalë dhe legjitimë. Kosova është shtet i qytetarëve dhe në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve mund të emërohen kurdoherë qytetarët kosovarë në shërbimin diplomatik të vendit.

Nuk ka afate, mirëpo kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt”, ka thënë për “Zërin” Halil Matoshi, këshilltar për medie i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Të ngjashme