Amerika s’e bind opozitën

Prishtinë | 19 Gus 2016 | 08:07 | Nga

Subjektet opozitare nuk kanë ndërruar qëndrim rreth Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, as pas mesazheve të nënpresidentit amerikan, Joe Biden, për ratifikim të saj.

Mesazhet e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, për të ratifikuar Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk i kanë lëvizur subjektet opozitare nga qëndrimi kundër Marrëveshjes së 26 gushtit 2015.

Opozitarët thonë se nuk mund të pranohet Marrëveshja me të cilën, sipas tyre, Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Në anën tjetër përfaqësuesit e Qeverisë shpresojnë që mesazhet e Biden-it për ratifikim të demarkacionit të merren parasysh nga opozitarët.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, duke folur për takimin e zëvendëspresidentin amerikan, përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka thënë se Kosova duhet ta përmbushë obligimin e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përkrahës të pa rezervë të Republikës së Kosovës, por është shumë e qartë se Kosova duhet të përmbushë obligimet e saj në raport me ratifikimin e demarkacionit si dhe lidhur me marrëveshjet e dialogut në Bruksel. Përkrahja e SHBA-ve do të jetë edhe më e fuqishme kur Kosova tregohet partner serioz në përmbushjen e obligimeve të saj ndërkombëtare”, ka shkruar ndër të tjera Mustafa. /Zëri/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme