Amir Simnica, një nga “fytyrat e reja” të Lidhjes Demokratike

Prishtinë | 19 Sht 2017 | 14:18 | Nga

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sikurse në zgjedhjet parlamentare, edhe në zgjedhjet komunale ka përfshirë shumë emra të rinj në listat për Asamble Komunale.

Këta të rinj po quhen si “Brezi i Republikës”!

Në mesin e këtyre emrave është dhe Amir Simnica.

Ai është kandidat për Asamblenë Komunale të Prishtinës, i emëruar nga Dega e Tretë e LDK-së, e njohur si dega e Presidentit Rugova. Mban numrin 56.

Simnica mund të jetë emër jo shumë i njohur për veprimtari politike, por jo për fushat profesionale nga vjen, si dhe banorët e lagjes ku ai pret të marrë më së shumti vota.

Prishtinasit, Amirin e njohin si një menaxher të suksesshëm në lëminë e gastronomisë, veprimtari që e ushtroi për 13 vjet. Ndërsa tash drejton kompaninë “Kemon Kosova”, që është distributore ekskluzive e disa linjave të produkteve profesionale europiane për flokë.

Nga bashkëpunëtorët e afërt, Simnica njihet si person me aftësi të larta komunikative dhe me përvojë edhe në fushën e marketingut.

“Ekonomia Online” bisedoi me banorë të Lagjes së Muhaxherëve, dhe zyrtarë të Degës së këtushme të LDK-së, të cilët e vlerësuan si një hap të qëlluar përfshirjen e Simnicës në listën e LDK-së për Asamble.

Familjarë, miq, klientë që bashkëpunojnë me biznesin e drejtuar nga Simnica, patën veç fjalë të mira, duke e vlerësuar sjelljen e tij, edukatën dhe kreativitetin e tij.

E në Faqen e Facebookut të Simnicës mund të gjenden pamje nga takimi i para disa ditëve që ai kishte organizuar me banorët e Lagjes së Muhaxherëve dhe kandidatin për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi.

Në Lagjen e Muhaxherëve, në zgjedhjet e fundit kishte pasur një rritje Vetëvendosje. Por, Simnica beson se me një kandidat si Arban Abrashi, por dhe kandidatët për deputetë komunalë, kjo lagje do ta vërtetojë epitetin që ka pasur gjithmonë si “bastion” i LDK-së.

Amir Simnica jeton me nënën, bashkëshorten dhe dy vajzat, në Lagjen e Muhaxherëve, në Prishtinë.

(Artikull i sponsorizuar)

Të ngjashme