Analistët: Aderimet e pjesëtarëve të shoqërisë civile do të jenë nën hijen e liderëve

Prishtinë | 19 Maj 2017 | 17:11 | Nga

Radhitja përkrah partive politike e shumë pjesëtarëve të shoqërisë civile po shihet me skepticizëm nga analistët politikë, duke thënë se ata vetëm do të jenë nën hijen e liderëve dhe politikaneve të tjerë të subjekteve përkatëse.

Sipas tyre, personat që kanë aderuar në subjektet politike e shohin veten si gjenerator ndryshimesh në parti, madje edhe fisnikërues.

Imer Mushkolaj, njohës i zhvillimeve politike, tha për Radion Evropa e Lirë se mbetet të shihet se sa do të mund të sjellin ndryshime figurat e reja që janë bërë pjesë e subjekteve politike në prag të zgjedhjeve.

Ai tha se nga praktikat e deritashme, ata që kanë aderuar nuk kanë arritur të sjellin ndryshime as në parti e as në institucione.

“Përvojat e deritashme kanë treguar fatkeqësisht se aderimet e tilla nuk është se janë vlerësuar sa duhet nga vet partitë politike, të cilat më shumë i kanë konsideruar si një lloj marketingu në fushatë parazgjedhore sesa që i kanë konsideruar si diçka më serioze. Në anën tjetër nuk duhet harruar as rezistenca që vjen prej njerëzve që kanë kaluar kohë të gjatë në parti e të cilët ndihen të injoruar”, tha Mushkolaj.

Analistët thonë se Kosova ka nevojë për politikanë të aftë që të ndryshojnë skenën politike dhe që mund të japin kontributin e tyre.

Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratike të Kosovës tha se Kosovës i duhen njerëz me të kaluar të pastër dhe para së gjithash njerëz që janë të sinqertë me veten e tyre e pastaj edhe me qytetarin.

“Ajo çka mund të ofrojnë ata mbetet të shihet më tutje. Por, kërkesat tona janë normalisht që të kemi më shumë integritet, me shumë kualitet dhe më shumë të kenë përgjegjësi edhe llogari ndaj qytetareve”.

“Përfaqësimin të cilin e kishim në legjislaturën e fundit nuk do të donim ta kemi. Mendoj se figurat e reja dhe personalitetet e reja që po futen në politikë, shpresoj se do ta rrisin nivelin e përfaqësimit dhe do të kemi një përfaqësimin shumë më përmbajtjësor dhe integritet”, tha Kryeziu.

Ndërkaq, Imer Mushkolaj konsideron se partitë politike, aderimet e reja duhet t’i konsiderojnë si një reformë e cila mund të ndihmojë partinë dhe jo si rrezik për ta.

“Natyrisht, se unë do të doja që Kuvendi i Kosovës vërtetë të ketë në ulëset e veta njerëz të tillë të cilët e kanë një prapavijë profesionale në fusha të ndryshme dhe tu jepet mundësia që të na përfaqësojnë aty. Por, prapë po them në masën më të madhe ulëset e Kuvendit i zënë njerëzit e partive politike”, tha Mushkolaj.

Kurse Ismet Kryeziu, beson se pavarësisht liderëve politikë dhe atyre që janë me përvojë në politikë, të rinjtë tani duhet të shihen se janë aty për të ndihmuar në ndryshimin e diskursit politikë dhe përfaqësimin qytetarë në Parlamentin e Kosovës.

Kosova po hyn në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 qershor pas rënies së Qeverisë nga një mocion mosbesimi në Kuvend dhe shpërbërjes së institucionit ligjvënës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme