Analistët: Dialogu të ndalet së paku për një kohë

Prishtinë | 11 Jan 2017 | 18:39 | Nga

Rasti i arrestimit të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj nga policia franceze është pasojë e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, i cili ka pasur nevojë të rishikohet edhe më herët.

Ky ishte vlerësimi i analistëve nga Kosova, Behlul Beqaj dhe Dardan Gashi që doli në debatin e zhvilluar në emisionin Imazh në RTK.

Behlul Beqaj tha se procesi i dialogut duhet të rishikohet dhe në këtë mënyrë të shikohen se sa larg jemi nga qëllimet tona.

“Çështja e dialogut nuk ka alternativ, por në këtë mënyrë se si po zhvillohet dhe se ky dialog nuk ka qenë në funksion të normalizimit të raporteve shtron nevojën e rishikimit të bisedimeve. Dialogu me Serbinë ka qenë vetëm në funksion të forcimit të pushtetit në Serbi dhe në Kosovë. Pra janë përforcuar të dy pushtetet”, tha Beqaj, duke përmendur me këtë rast edhe kolonat e gjata të pritjeve në kufij me Serbinë të mërgimtarëve shqiptar pa asnjë arsyeje.

Sipas tij, rasti i Haradinajt tregon se sa larg jemi për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Beqaj tha se duhet të bëhet një “time-out” jo të ndërpriten bisedimet, por që siç tha ai, duhet të rishikohet për arsyeje se dialogu realizohet me qëllim të realizimit të interesave të palëve në dialog dhe jo për përkeqësimin e raporteve sikurse po bënë shteti serb.

“Është Serbia ajo që ka realizuar interesat e saj, dhe Kosova ka vendnumëruar”, ka thënë Beqaj.

“Me lejoni t’i jap disa shpjegime që pak e shumë argumentojnë nevojë e rishikimit të procesit të dialogut. Në ditën kur është arrestuar Nehat Thaçi, Edita Tahiri ka qenë në takim në Bruksel. Dhe shtrohet pyetja për çfarë normalizimi të raporteve bëhet fjalë në ditën kur dialogohet dhe në anën tjetër arrestohet një oficer i policisë”, tha analisti Belul Beqaj.

Ky i fundit tha se duhet të ndërrohet përfaqësimi i Kosovës në procesin e dialogut, pasi sipas tij, nuk ka dëshmuar aftësi dhe zhdërvjelltësi në marrëveshjet që janë nënshkruar dhe të cilat nuk po i realizon Serbia.

“Po flas për nevojë e rishikimit të kryenegocfiatarëve që janë shkaktar kryesor të kësaj gjendje. Në këtë rast ka dështuar edhe Parlamenti i Kosovës që e ka për detyrën ta mbikëqyrin politikën e jashtme dhe qeverinë. Parlamentarët nuk kanë qenë as monitorues dhe as vëzhgues të këtyre proceseve. Pra rishikimi i dialogut duhet të jetë shumë deminsional nëse dëshirojmë të kemi një kualitet nga ky dialogu ekzistues”, tha Beqaj.

Ai përmendi edhe kërcënimet e vazhdueshme nga pushteti serb dhe Lista Serbe për krijimin e asociacionit të komunave serbe në mënyrë të njëanshme. “Kërcënimi për themelimin e asociacionit të mënyrë të njëanshme po krijojë një gjendje të psikozës të një konflikti etnik. Paralajmërojë se kjo mund të ndodhë nëse nuk ndërpritet ky trend. Është një moment shumë kritik dhe duhet të jemi shumë vigjilent sepse diçka serioze po përgatitet kur kemi një trend jo stabil”, tha Beqaj në emisionin Imazh në RTK .

Edhe analisti tjetër, Dardan Gashi,duke folur për mosaprovimin e rezolutës në Kuvend të Kosovës për lirimin e Ramush Haradinajt , tha se edhe të miratohej, rezoluta nuk do të ndryshonte asgjë, sikurse përmendi edhe rastin e miratimit të një rezolute për rrëzimin e murit në veri, që sipas tij , nuk do të rrëzohet në fund të janarit ashtu sikurse parashihet.

“Dialogu në esencë ka fuqizuar pushtetin në Beograd dhe Listën Serbe në Kosovë. Nuk është për t’u befasuar për rolin që po e luan Serbia edhe si provokim edhe si shfaqje. Dialogu nuk ka qenë për normalizim të raporteve dhe ne duhet të mësohemi të marrim vendime autonome”, tha Gashi, duke shtuar se kjo është për pasojë e kreativitetit të qeverisë.

Sipas tij, dialogu nuk ka prodhuar asgjë tjetër përveç fuqizimit të Serbisë.

Ai tha se Serbia në dy vitet e fundit ka fituar terren të jashtëzakonshëm në Kosovë, dhe siç tha ai kemi të bëjmë me një rikthim të Serbisë dhe në këtë rast kemi të bëjmë me një jo-sinqeritet të partive të madha që janë në koalicion.

“Pra s’ka pasur sinqeritet të dy partive dhe nuk është marrë seriozisht çështja e dialogut. Kemi mospërfillje totale të institucioneve të Kosovës nga ana e Listës Serbe”, tha Gashi.

Ish-ministri i Ambinetit Gashi tha se duhet të rishikohet dialogu me Serbinë. “Marrëveshjet e arritura nuk po zbatohen dhe në këtë drejtim nuk kemi pas avantazh, por sidomos në veri kemi dezintegrim, ku kemi brenda natës ndërtimit e murit. Pra, në çdo rrafsh me këtë dialog nuk pasur asnjë përparim”, tha ai.

Dardan Gashi theksoi se provokimet nga pala serbe nuk janë të rastësishme.”Po mendoj se po përgatitetet një mars i ri sikurse ai i vitit 2004. Provokimet e tjera si rasti Haradinaj dhe shumë provokime tjera në veri tregojnë se Serbia po provokon një konflikt të ri, minimalisht sikurse marsi i 2004”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme