Auditori zbulon parregullsitë në vitin e fundit qeverisës të Mimoza Kusarit

Prishtinë | 22 Maj 2018 | 10:43 | Nga
Zyra Kombëtare e Auditimit –ZKA ka evidentuar parregullsi në vitin e fundit qeverisës të kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari–Lila.

Parregullsi në menaxhimin e personelit, në aktivitet e prokurimit, në menaxhimin e projekteve kapitale kanë qenë disa nga gjetjet e Auditorit të cilat janë zbuluar në Raportin “Auditimi i Pasqyrave Financiare Vjetore të Komunës së Gjakovës për vitin 2017”, shkruan lajmi.net.

Një varg shkeljesh janë gjetur tek punësimet.

Auditori ka gjetur se në procesin e rekrutimit për dy mësimdhënës/një pozitë të lirë dhe një zëvendësim/, fillimisht ishin përcaktuar të dy kandidatet, mirëpo me pas ishte tërhequr kandidati i cili kishte mbuluar pozitën e lirë. Pas kësaj komisioni kishte rekomanduar që edhe pozita e lirë për mësimdhënës, të mbulohej nga i njëjti kandidat që ishte përzgjedhur për zëvendësim. Si rezultat i kësaj, të dy pozitat, mbahen nga i njëjti mësimdhënës. “Gjithashtu, në këtë proces të rekrutimit, përveç raportit përmbledhës, anëtarët e komisionit nuk kishin mbajtur evidencë/raport rreth vlerësimeve individuale për kandidatët e testuar në testin me shkrim dhe intervistë”, thotë Auditori.

Ndërsa, në konkursin për pozitën mjek i përgjithshëm, testi me shkrim i të punësuarit nuk është nënshkruar. “Po ashtu në 33 raste pozitat mbuloheshin me ushtrues pozite (UD) përtej afatit kohor të lejuar. Në QKMF, 29 pozita ishin mbajtur nga data 30.09.2016 deri ne në fund të vitit. Në tri shkolla, pozita e drejtorit ishte mbajtur me UD përtej afatit ligjor prej tre muajve. Ndërsa, pozita Shef i zyrës ligjore, mbahej me UD nga data 01.08.2016”.

Auditori ka gjetur se në një rast, përvoja e punës së të punësuarës ishte kalkuluar për dy vite më shumë se sa ishin dëshmitë e ofruara dhe se nuk kishte as vendim nga zyra e personelit që përcakton numrin e viteve të përvojës së punës për punonjësen.

Ndërkohë, është gjetur se për një mësimdhënëse, vendimi për pushim lehonie ishte bërë një muaj pas fillimit të pushimit, dhe se, edhe ndalesa në pagë ishin bërë me një muaj vonesë. Në rastin tjetër, vendimi për pushim të lehonisë ishte bërë një javë pas fillimit të pushimit.

“Mangësitë e hasura në menaxhimin e personelit, përfshirë procesin e rekrutimit, pagesën e pagave dhe përpilimit të kontratave mund të rezultojnë shpenzimet për pagat e punonjësve. Gjithashtu, mbajtja e pozitës udhëheqëse me ushtrues detyre më gjatë se tre muaj nuk siguron që punët realizohen me përgjegjësi të plotë dhe që arrihen rezultatet e pritura”, ka shfaqur rrezikun Auditori.

Parregullsi në aktivitetin e prokurimit

Komuna nuk ka arritur të zbatojë udhëzimet e prokurimit për shkak të mungesës së mbikëqyrjes efektive menaxheriale.

Auditoti ka gjetur se, te kontrata për “Sigurimi fizik i objekteve të Komunës së Gjakovës” në vlerë 109,900 euro, ishte kërkuar që objekti i Bibliotekës të sigurohet nga dy punonjës, 24 orë në shtatë ditë të javës. “Angazhimi i vetëm dy punëtorëve për orarin e përcaktuar bie ndesh me ligjin e punës, përkitazi me orarin e punës dhe pushimin e nevojshëm për të punësuarit”, thotë Auditori.

Ndërsa është gjetur se te kontrata “Furnizim me produkte ushqimore, higjenike dhe mish për nevojat e Komunës së Gjakovës – Pjesa e III-të” në vlerë 32,226 euro, siguria e ekzekutimit nuk mbulonte periudhën prej 30 ditëve pas kompletimit të kontratës, ndërsa te kontrata Sigurimi fizik i objekteve të Komunës në vlerë 109,900 euro, sigurimi i ekzekutimit ishte valid deri më datë 18.08.2018, kurse kontrata përfundonte me 01.09.2018. “Përveç që nuk e mbulonte në tërësi afatin e kontratës, sigurimi nuk mbulonte as periudhën prej 30 ditëve nga përfundimi i kontratës”.

Andaj, Auditori ka shfaqur rrezikun se, mos zbatimi i kornizës ligjore te prokurimit publik dhe anashkalimi i tyre gjatë lidhjes se kontratave rrit rrezikun që kontratat mund të mos realizohen sipas kushteve kontraktuale.

Dobësi në menaxhimin e projekteve kapitale

Auditori ka gjetur se gjashtë kontrata për projekte kapitale në vlerë totale 1,324,912 euro, të nënshkruara në vitin 2012 dhe 2013, nuk ishin përfunduar as në vitin 2017 dhe se planet dinamike të realizimit të këtyre projekteve ishin nga 28 deri në 120 ditë kalendarike. Kontratat ishin nënshkruar në mungesë të buxhetit të nevojshëm;

Nga mostrat e testuara nga Auditori është identifkuar se si pasojë e mos pagesës me kohë të obligimeve ndaj kontraktuesve, përmes procedurave përmbarimore, gjykatave dhe nga Thesari janë realizuar pagesa në vlerë 82,596 euro. Andaj, në mungesë të buxhetit në kategorinë përkatëse, ishin shfrytëzuar mjetet nga kategoritë tjera buxhetore;

ZKA ka gjetur se, Komuna ka të kontraktuar një kompani për mbikëqyrjen e projekteve kapitale. Përveç situacioneve teknike të punimeve, në raportet e përgatitura nga kompania nuk janë ofruar informata të mjaftueshme rreth ecurisë së realizimit të projekteve kapitale dhe për tri kontrata, Plani i Menaxhimit të Kontratës (PMK) ishte përgatitur dhe nënshkruar me vonesë, ndërsa në tri raste tjera PMK-të nuk ishin azhurnuar me informata të duhura.

“Dobësitë aktuale mund të ndikojnë në vlerë të dobët për para, pagesa të parregullta, kosto shtesë si pasojë e padive nga mos pagesa me kohë e obligimeve si dhe vonesa në ofrimin e shërbimeve që mund të rezultojnë në kontrata të cilat nuk zbatohen sipas standardeve të kërkuara”, ka shfaqur rrezikun Auditori.

“Nënshkrim i kontratave pa zotim të mjaftueshëm të mjeteve. Kontrata për Mirëmbajtjen verore të rrugëve, në vlerë 159,561€ ishte nënshkruar me vetëm 1,000euro zotim të mjeteve, përderisa pas 10 ditëve Komuna kishte pranuar faturën/obligimet për shërbimet e kryera në vlerë 4,610 euro. Kontrata Ndërtimi i terreneve sportive në disa shkolla në vlerë 44,459 euro, ishte nënshkruar me vetëm 9,790 euro zotim të mjeteve. Po ashtu kontrata Ndërrimi i dyerve dhe dritareve në disa shkolla në vlerë 20,140 euro ishte nënshkruar me vetëm 10,000 euro zotim të mjeteve”, ka qenë një tjetër gjetje e Auditorit.

Konkretisht është gjetur se, Mirëmbajtja verore e rrugëve, ishte në vlerë 159,561 euro, ndërsa me planin e prokurimit kontrata ishte vlerësuar të jetë vetëm 100,000 euro;

Mirëmbajtja e objekteve-pastrimi i QKMF, QMF, AMF, QPS, në vlerë 71,111euro, ndërsa me planin e prokurimit kontrata ishte vlerësuar 61,800 euro; dhe

Furnizim me material dhe reagensa për laboratorin biokimik-hematologjik në vlerë 22,228 euro, me planin e prokurimit ishte vlerësuar 15,000 euro, ndërsa me Deklaratën e Nevojave dhe Disponueshmërisë së Mjeteve ishin planifikuar vetëm 17,458 euro.

Auditori i ka dhënë 17 rekomandime Komunës së Gjakovës lidhur më të gjeturat.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme