Avramopoulos – Pacollit: Po pres lajme të mira nga Prishtina

Prishtinë | 21 Mar 2018 | 16:57 | Nga

“Po presim lajme të mira që të hapim dyert për liberalizimin e vizave për Kosovën. Do të isha njeriu më i lumtur nëse do vendosja nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën”, i ka thënë Komisioneri për Punë të Brendshme i BE-së, Dimitris Avramopoulos, ministrit të jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë një takimi në Bruksel.

Situata në Parlamentin e Kosovës u diskutua gjatë në këtë bashkëbisedim të parë midis dy politikanëve.

“Jeni në një mjedis miqësor dhe ju e dini disponimin tim për Kosovën. Kosova është në qendër të Ballkanit dhe ne nuk duam një riballkanizim të rajonit, por duam që Kosova të jetë flamur i integrimit evropian”, pohoi ai.

“Luftoni dukuritë negative, korrupsionin, elementet që stigmatizojnë negativisht vendin tuaj, dhe mezi pres të hap dyert e mundësive në institucionet evropiane, ndonëse situata nuk është më e mira”, theksoi më tej zyrtari i lartë evropian.

Kryediplomati kosovar tha nga ana e tij, se pas 3 vjetësh bllokimi, Kosova pritet ta votojë demarkacionin me Malin e Zi”.

“Do të doja t’ju ftoja ta festonim lajmin së bashku me të rinjtë e vendit tim. Kushtet e BE-së për Kosovën nuk janë për interesin tuaj, por për të mirën tonë dhe unë jam mbështetës i madh i integrimit evropian. “Si vende të vogla ne nuk mund të mbijetojmë në botën e sotme”- tha Pacolli.

Tutje, kryediplomati kosovar e përshkroi Qeverinë e sotme të Kosovës si “një qeveri mjaft dinamike që mund të bëjë shumë punë, nëse mbështetet nga institucionet evropiane”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme