Bender: Kosova s’ka perspektivë zgjerimi, pesë anëtare të BE-së nuk e kanë njohur

Prishtinë | 25 Pri 2018 | 14:32 | Nga

Zëvendëskryetari i Iniciativës për Stabilitet Evropian, Kristof Bender, ka thënë se Kosova nuk ka perspektivë zgjerimi dhe e quajti tragjike se si Kosovës i ofrohet kaq pak mbështetje ndonëse ka mbetur shumë prapa.

“Çështja e Kosovës ka qenë me ne që prej luftërave jugosllave. Për Bashkimin Evropian dhe për Kosovën është problem i madh. Me pesë shtete anëtare të BE-së, Kosova nuk ka perspektivë të zgjerimit. Spanja e ka bërë shumë të qartë këtë tani”, ka thënë Bender në një intervistë për Ballkanin Perëndimor Evropian (European Eastern Balkans).

“Ka një problem të madh në procesin e aksesimit, e që supozohet se varet nga merita. Prandaj, sigurisht që Komisioni ka një interesim të fuqishëm – në të vërtetë të gjithë që brengosen për rajonin duhet ta kenë një interesim të fuqishëm – që kosova të zhbllokohet. Pyetja është: A mund të arrihet kjo tani në rrethanat aktuale?”.

“Presidenti Vuçiq duket se po sugjeron që zgjidhja gjendet në shkëmbim territoresh. Jam i bindur që kjo nuk do të ndodhë. As parlamenti kosovar nuk do ta pranojë kurrë këtë. As Gjermania, Franca, Holanda, dhe shumica e shteteve të tjera anëtare të BE-së”.

“Po ashtu, praktikisht nuk mund ta shoh se si mund të ndodhë kjo. Nëse një vijë përcaktuese kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi në një terren të pabanuar ishte aq e vështirë, si do të përcaktohen territoret e banuara?”.

“Në rrethanat aktuale, Kosova nuk ka perspektivë anëtarësimi. Kjo nuk do të thotë që nuk do ta marrë ndonjëherë, por aktualisht nuk ka. Për Kosovën, procesi i qasjes formale nuk po vazhdon. Formalisht nuk ka se si Kosova të ecë përpara”.

Bender po ashtu foli për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve, duke shfaqur kritika se si Kosova pranon kaq pak mbështetje drejt përparimit të saj, pavarësisht se ka mbetur prapa në këtë proces.

“Është një tragjedi për Kosovën,  një vend që në shumë aspekte ka mbetur shumë prapa, i ofrohet mbështetja më e pakët për t’i arritur të tjerët, dhe përjeton pengesat më të mëdha për të ecur përpara. Nuk ka kuptim”, përfundoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme