Beogradi nis presionet mbi kandidatët serb në Kosovë

Prishtinë | 27 Maj 2017 | 14:45 | Nga

Presioni i Qeverisë së Serbisë përmes strukturave paralele po vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë, me rastin e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit. Beogradi zyrtar është duke insistuar që të zgjedhurit e tyre në Kuvendin e Kosovës të jenë të ‘dëgjueshëm’. Andaj, ata kanë vendosur që mos të lejojnë asnjë kandidatë të serbëve që janë pro Republikës ku jetojnë.

Presioni që është shfaqur haptas është ndaj një kandidati të Partisë së Pavarur Liberale, e cila udhëhiqet nga Slobodan Petroviq. Me dirigjim të qeverisë serbe është pushuar nga puna ky kandidat për deputet.

Bëhet fjalë për Goran Marinkoviq, një ekonomist i punësuar në “Elektroprivreda Srbije” me zyre edhe në Graçanicë. Në një intervistë për “Indeksonline”, ai ka treguar se posa shefat e tij kishin mësuar për kandidimin e tij për deputet të Kosovës të njëjtit e kishin ftuar në bisedë.

“Me datë 22 maj më kanë ftuar drejtorët Dojqin Kostiq dhe Zvonko Mitoviq dhe më kanë kërkuar ta tërheqë kandidaturën për deputet, unë nuk kam pranuar , dhe me datë 25 maj më kanë sjell vendimin me të cilin përkohësisht pushohem nga puna”, thotë Marinkoviq.

Ai pretendon se ka edhe një audio incizim me të cilën vërtetohet presioni nga tij, por shton se incizimin nuk e ka dorëzuar në polici.

“Këtë audio incizim ia kam dorëzuar ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, por e di që edhe ambasada e SHBA-ve është në dijeni për rastin”, shton Marinkoviq.

Edhe kryetari i Marinkoviqit dhe SLS-it, Sllobodan Petroviq thotë se presionet ndaj kandidatëve tjerë por edhe të qytetarëve janë nga më të ndryshmet.

“Largime nga puna, largime nga skemat pensionale, nga ndihmat, nga fakultetet janë disa nga presionet”, thotë Petroviq.

Petroviq shton se kishin paralajmëruar për një gjë të tillë, por nuk kishin menduar që kërcënimet do të jenë aq brutale.

“U bëjë thirrje institucioneve që të sigurojnë zgjedhje fer dhe të lira, qytetarët po kërcënohet që të votojnë për kandidatët e listës serbe, ti voto por mos kërcëno” shprehet Petroviq.

Goran Marinkoviq i larguari nga puna tregon se nëse nuk i ofrohet siguri nga organet e Kosovës, atij nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të kërkon azil në ndonjë shtet. Ndryshe partia SLS në një anketë ishte dale partia e parë që do të votohet nga serbet e Kosovës, dhe siç duket kjo po i pengon zyrtarëve të Beogradit.

Të ngjashme