“Blici” ‘zbulon’ prapaskenat e takimit të tensionuar mes Haradinajt e Mogherinit

Prishtinë | 19 Nën 2017 | 08:18 | Nga

Gazeta serbe “Blic” pretendon të ketë mësuar nga burime se çfarë ka ndodhur brenda takimit mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Ky medium thotë të jenë thënë fjalë të ashpra në atë takim, me ç’rast Mogherini edhe e ka lëshuar takimin.

Ndonëse nuk janë publikuar arsyet zyrtare për anulimin e konferencës së përbashkët për media, burimi i “Blicit” nga qarqe diplomatike në Bruksel thotë se për shkak të tonit gjatë takimit, Mogherini ka refuzuar të paraqitet para gazetarëve.

“Shqiptarët insistonin vazhdimisht në drejtim të dhënies së liberalizimit të vizave për Kosovën dhe përfshirjen e Amerikës në dialogun me Serbinë. Shefja e diplomacisë së BE-së e mori këtë personale dhe e lëshoi takimin e Këshillit para përfundimit”, ka thënë bashkëbiseduesi i “Blicit”, transmeton Koha.net.

I njëjti burim ka shtuar se i tërë takimi ka shkuar me tensione dhe se pala kosovare ka pasur qasje shumë agresive.

“Edhe në takimin e mbyllur ka pasur fjalë të rënda, pasi që Mogherini që nga fillimi i seancës së hapur ka qenë e nervozuar. Kur kemi të bëjmë me Serbinë, Haradinaj ka insistuar që në përfundimin e tij duhet të ketë njohje reciproke ndërkombëtare të të dyja shteteve. Federica Mogherini nuk është pajtuar me këtë dhe se në atë moment situata është tensionuar”, zbulon burimi i gazetës serbe.

Përfaqësuesja e lartë nuk ka dashur të lëshojë takimin as kur është folur për liberalizimin e vizave dhe ka insistuar në demarkacionin me Malin e Zi.

“Mogherini ka folur për Gjykatën Speciale, por Ramush Haradinaj e ka injoruar tërësisht atë temë ndonëse është pritur të thotë diçka”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se edhe Radio Evropa e Lirë ka raportuar për lëshimin e takimit nga ana e Mogherinit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme