Bllokada në KQZ: Florian Dushi i papranueshëm për presidentin, hise po kërkon edhe PSD-ja

Prishtinë | 27 Maj 2018 | 07:55 | Nga

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) aktualisht është jofunksional, pasi shumicës së anëtarëve iu ka skaduar mandati. Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka dekretuar ende përbërjen e re të KQZ-së.

Nga Zyra e Presidentit thanë për Ekonomia Online se vonesa ka ndodhur pasi nuk i kanë pranuar ende të gjitha propozimet për anëtarë të këtij institucioni, nga subjektet politike, sikur e parasheh ligji.

Ekonomia Online merr vesh se problematik është bërë emri i Florian Dushit i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Derisa LDK-ja po insiston që Dushi të dekretohet, Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare (DÇJMN), i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Presidentit, ka vlerësuar se ai tashmë i ka konsumuar tri mandate dhe nuk duhet të dekretohet edhe për një mandat.

“Florian Dushi i ka tri mandate nëse llogariten vitet sa ka qenë në KQZ. LDK-ja po thotë se i ka vetëm dy, sepse njërin mandat nuk e ka dekretuar presidenti, për shkak se ka qenë koha e tranzicionit të presidentëve Pacolli-Krasniqi. Por, Zyra Ligjore e ka interpretuar që ai e ka luajtur atë rol në mënyrë aktive dmth i ka tri mandate”, ka shpjeguar një burim i mirinformuar.

“Presidenti nuk mund të nënshkruajë diçka që mund të jete antiligjore, sepse ligji e saktëson që një anëtar nuk mund të zgjidhet më shumë se tri mandate”.

DÇJMN ka kërkuar emër të ri nga LDK-ja, por kjo parti ka kthyer sqarimet e saj, duke insistuar në argumentin se Dushi është mandatuar vetëm dy herë.

Dërgimin e sqarimeve e ka konfirmuar dhe vetë Dushi. “Kanë kërkuar sqarim dhe ne e kemi dërguar sqarimin. Por pas asaj nuk kemi ndonjë përgjigje”, tha Dushi, për Ekonomia Online.

“Pa pranuar zyrtarisht diçka nga Presidenca, unë e as LDK nuk deklarohemi. Sepse zyrtarisht dhe me shkrim nuk kemi asgjë”, shtoi ai.

Dushi saktësoi se ka qenë anëtar i KQZ-së nga viti 2007, kur ishte emëruar nga atëherë Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë deri më 2016, kur kishte dhënë dorëheqje për të marrë një pozitë zëvendësministri në Qeverinë e Isa Mustafës. Pra, ai ka shërbyer nëntë vjet në këtë institucion.

Emri tjetër i propozuar nga LDK-ja është Sami Hamiti; kurse Lëvizja Vetëvendosje krahas Adnan Rrustemit, i cili e ka përfaqësuar deri më tani, ka dërguar dhe një propozim – Nazlie Balën.

Por, paqartësi ka për ndarjen e “hises” në KQZ nga koalicioni PAN (PDK, AAK, Nisma), ka treguar burimi i afërt me zhvillimet.

Meqenëse kanë garuar si një subjekt në zgjedhjet e fundit, PAN-it i takojnë vetëm dy përfaqësues. PDK-në pritet ta përfaqësojë Ilir Gashi; ndërkaq Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës – Binak Vishaj. Nisma e cila përfaqësohej nga Eshref Vishi pritet të mbetet pa përfaqësues në KQZ dhe kjo ka nxitur pakënaqësinë e Fatmir Limajt.

Gjithashtu, e interesuar për të pasur një përfaqësues në KQZ është dhe Partia Social Demokrate, e cila faktikisht ka 12 deputetë në Kuvend. Por, ata deputetë kanë kandiduar në zgjedhjet e fundit nën siglën e Vetëvendosjes.

“Është duke u menduar që çështja t’i dërgohet për sqarim Gjykatës Kushtetuese”.

“Zyra e Presidentit nuk i ka pranuar ende të gjitha propozimet për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga subjektet e përcaktuara me ligj”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Presidencës, rreth vonesës së kompletimit të KQZ-së me anëtarë të rinj.

“Propozimet që i kemi pranuar janë në fazën e kompletimit me dokumentacionin shtesë të nevojshëm, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, kurse në ditët e ardhshme do të merren edhe vendimet lidhur me këto propozime”, deklaroi Zyra e Presidentit.

Muajin e kaluar, presidenti Hashim Thaçi e emëroi Valdete Dakën edhe për një mandat në krye të KQZ-së. Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Legjislacion, më herët gjatë këtij muaji, kryetarja Daka e ka quajtur “të çuditshme” pozitën në të cilën gjendet ky institucion aktualisht me shumicën dërmuese të anëtarëve me mandat të skaduar.

“Nuk na ka ndodhur asnjëherë mos me pasë KQZ funksionale”, u shpreh Daka.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë. Kryesuesin e emëron presidenti i Republikës, nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatave me juridiksion apeli.

Kurse, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë. Një anëtar emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin serb të Kosovës dhe tre anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme