Çelësi i qeverisë te LDK-ja

Prishtinë | 13 Qer 2017 | 08:29 | Nga

Koalicioni PAN mund ta formojë qeverinë e re vetëm me votat e LDK-së ose duke i “peshkuar” disa deputetë nga koalicioni i kësaj të fundit. Zgjidhje tjetër nuk ka, pasi i mungojnë numrat e nevojshëm për ta formuar shumicën e thjeshtë parlamentare edhe me votat e minoriteteve.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pavarësisht se doli më së keqi në zgjedhjet e 11 qershorit duke mbetur me vota pas koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) dhe lëvizjes “Vetëvendosje” te ky subjekt është përsëri çelësi për formimin e qeverisë së re.

Kjo për faktin se në bazë të rezultatit zgjedhor koalicioni PAN nuk do të mundë ta formojë qeverinë e re edhe nëse i merr votat e minoriteteve.

Ky koalicion që e ka kandidat për kryeministër Ramush Haradinajn nuk pritet t’i fitojë më shumë se 39 ulëse në Kuvend dhe me gjitha votat e minoriteteve (20) mund t’i arrijë vetëm 59 vota, dy më pak sesa duhen për ta formuar qeverinë e re, shkruan tutje Gazeta “Zëri”.

Megjithatë, zyrtarët e LDK-së jozyrtarisht janë deklaruar se nuk do të shkojnë në koalicion me PAN-in, duke preferuar që qeverinë e re ta bëjnë me lëvizjen “Vetëvendosje”.

Këto dy subjekte pritet t’i kenë 61 deputetë në Kuvendin e ri dhe me votat e minoriteteve mund ta sigurojnë një qeveri stabile.

Të ngjashme