Çollaku: Nuk lejojmë diskriminim, Kosova përfaqësohet sikur shtetet tjera në Sofje

Prishtinë | 13 Maj 2018 | 12:06 | Nga

Bekim Çollaku, këshilltar i presidentit Thaçi, po zotohet se Kosova do të prezantohet sikur shtetet e tjera në Samitin e Sofjes.

Çollaku ka thënë se nuk do ta lejonin asnjëherë që Kosova të diskriminohet në ngjarje të tilla.

Çollaku ka theksuar se me përkushtimin e BE-së, në Samitin e Sofjes të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë Samit dhe përfaqësimi i saj i barabartë njësoj sikur shtetet tjera pjesëmarrëse është i padiskutueshëm. Në jemi shtet i pavarur dhe nuk do lejonim kurrë të diskriminohemi në ngjarje të tilla. Mirepo në duhet te falënderojmë edhe BE-në shumë për perkushtimin e saj, që ky Samit të trajtojë të gjitha shtetet e Ballkanit Perendimor në mënyrë të barabartë”, ka thënë shefi i kabinetit të presidentit Thaçi.

Çollaku ka vlerësuar se Samiti në Sofje do ta rikonfirmojë se Kosova e ka derën e hapur për anëtarësim në BE.

Pavarësisht problemeve politike  që sipas tij e vështirësojnë rrugën e Kosovës.

“Ajo çfarë është e qartë është fakti që ky Samit rikonfirmon se edhe Kosova e ka derën e hapur për anëtarësim në BE pavarësisht problemeve politike tepër të vështira që shoqërojnë dhe e bëjnë më të vështirë rrugën tonë”, thotë Çollaku.

Duke folur për pritshmëritë nga ky Samit, Bekim Çollaku deklaroi se në këtë ngjarje shtetet e Ballkanit presin që të qartësohet e ardhmja evropiane.

Sipas tij, simbolika e fuqishme e këtij samiti duhet të shoqërohet me hapa konkret.

“Së pari, ky Samit i BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor me të drejtë për nga pesha e tij konsiderohet si historik, për shkak te simbolikës dhe mesazhit që bart me vete. Mirëpo, simbolika sa do e fuqishme, nuk do të jetë e mjaftueshme në rast se nuk shoqërohet edhe me hapa konkret. Prandaj, shtetet e Ballkanit Perëndimor ne aspektin politik presin qartësi për të ardhmen e tyre evropiane”, tha këshilltari i presidentit.

Ai theksoi se pas samitit pritet të zbatohen edhe projekte të ndryshme infrastrukturore.

“Ndërsa në aspektin e ndihmës financiare dhe ekonomike nga BE-ja, pritjet janë që të fillojnë të zbatohen projektet infrastruktutore që për qellim kanë përmirësimin dhe modernizimin e ndërlidhshmërisë, pastaj projektet në fushën e energjisë, mobilitetit, të rinisë, etj.”, përfundoi Bekim Çollaku.

Samiti i Sofjes do të mbahet më 17 maj, kurse Kosova do të prezantohet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi./lajmi.net

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme