Daci: Në Kuvend nuk bëhet hajgare, e pamoralshme kërkesa për ndërrimin e Veselit

Prishtinë | 02 Sht 2017 | 09:05 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, i ka kritikuar për papjekuri dhe mungesë guximi liderët politikë dhe deputetët, të cilët po e zvarrisin konstituimin e Kuvendit.

Ndërsa të pamoralshme, ai e ka quajtur kërkesën e Vetëvendosjes dhe LDK-së që koalicioni PAN, të ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në këtë rast Kadri Veselin me një kandidat tjetër nga ky koalicion.

“Kjo lojë që po bëhet me Kosovën është papjekuri politike e deputetëve dhe liderëve të partive politike. Është një lojë që nuk i bën mirë askush. Befasohem me papjekurinë e liderëve politikë, në radhë të parë, dhe me mungesën e guximit të lirisë të deputetëve që janë zgjedhur në parlament”, ka thënë Daci, në një bisedë për Ekonomia Online.

Duke komentuar kërkesën e Vetëvendosjes që Partia Demokratike dhe partnerët e saj ta ndërrojnë Kadri Veselin si kandidat për kryetar të Kuvendit, Daci thotë se kjo është sikur t’i tregosh dikujt kush “është zot në shtëpinë e vet”.

”Nuk është as e drejtë as e moralshme. Por morali në politikën ballkanike nuk ekziston gati. Është hajgare kur të zotit të shtëpisë ju i thoni që nuk je i zoti i shtëpisë si fëmijëve tu. Ku keni parë ku keni dëgjuar, në cilin vend ndoshta që t’i thuash kryetarit të një partie që i ka fituar zgjedhjet në koalicion, apo si i ka fituar zgjedhjet, ta kushtëzosh që t’i nuk mundesh me qenë por mundet me qenë dikush tjetër prej partisë tënde”.

“Në qoftë se dikush prej komshillëkut të thotë që unë nuk mund të jem zot shtëpie në shtëpinë time, por duhet ta marrë një zot shtëpie që ma këshillon kojshia, ose në këtë rast grupi politik, kjo është qesharake”.

Ish-kryeparlamentarit Daci nuk i ka pëlqyer shumë as udhëheqja e seancës konstituive nga deputeti më i vjetër në Kuvend, Adem Mikullovci.

Ai tha se në Kuvend ka rregulla të cilat duhet të respektohen.

“Mjerisht e filloi shumë keq kur tha ‘e mbylli seancën’. Dhe me ato recitime, unë e kuptoj që është njeri i artit dhe e respektoj, por udhëheqja e parlamentit nuk është vend ku bëhet hajgare as nuk është vend ku i lejohet gjithkujt të thotë çfarë të dojë. Ka rregulla është rregullorja është ligji”.

Por, ai thekson se në rrethanat ekzistuese, Mikullovci është udhëpheqës i seancës dhe duhet ta respektojnë të gjithë.

Ndër të tjera, Daci foli edhe për pakicat në Kuvend dhe rolin e tyre. Ai tha se minoritetet nuk mund të përjashtohen nga marrja e vendimeve.

“Realiteti është se me këtë Kushtetutë, dashtë e pa dashtë, minoritetet ke me i pasë në qeveri”.

Mirëpo, sipas Dacit, nuk duhet lejuar që minoritetet të bllokojnë procese të rëndësishme për vendin, siç është formimi i ushtrisë.

Të ngjashme