Daçiq: Kosova mund ta ëndërrojë ulësen në OKB

Prishtinë | 04 Kor 2018 | 18:21 | Nga

Prishtina me këmbëngulje po përpiqet të bëhet anëtare e dhjetëra organizatave ndërkombëtare, por Beogradi tash për tash po i fiton betejat me punën e vet shteruese në luftën diplomatike dhe në këtë për shtati po i shkojnë edhe rrethanat e ndryshuara në arenën ndërkombëtare dhe fakti se po shtohet numri i vendeve që po tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, shkruan sot gazeta e Beogradit “novosti”, transmeton Koha.net.

Dëshmi për këtë, sipas kësaj gazete, është edhe thyerja e fundit e Prishtinës në Organizatën Botërore të Doganave, Këshilli i të cilës, në mbledhjen e fundit në Bruksel, ka refuzuar pranimin e Kosovës ashtu që statusi i saj edhe më tej mbetet i kontestuar dhe i ngrirë.

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq thotë se dështimi i Prishtinës për të hyrë në OKB tregon se asaj po i humb mbështetja.

“Sa më shumë që të rritet numri i shteteve që tërheqin njohjen e Kosovës, aq më vështirë do ta ketë që t’i realizojë planet e veta. Kosova mund të vazhdojë së ëndërruari ulësen në OKB, por është e qartë se rrethanat ndërkombëtare kanë ndryshuar”, ka thënë ai, përcjell Koha.net.

Aleksandra Tomiq, kryetare e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës thotë se lobimi i Kosovës është konstant dhe aty ajo aleate i ka Britaninë e Madhe dhe Shqipërinë.

“Serbia mund të llogarisë në përkrahjen jo vetëm të shteteve që s’e kanë njohur Kosovën por edhe të shumë të tjera deputetë të së cilëve janë kritikë ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut e demokracisë ashtu që dy të tretat e duhura për anëtarësim, vështirë se do t’i arrijë”, ka thënë Tomiq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme