Delawie: Nuland erdhi për integrimet evropiane dhe luftimin e krimit të organizuar

Prishtinë | 10 Kor 2016 | 15:49 | Nga

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland,ka takuar krerët e shtetit të Kosovës, me të cilët ka biseduar për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova.

Derisa udhëheqësit shtetërorë të Kosovës, përmes kumtesave zyrtare kanë treguar për bisedat në takimet e sotme, vetë diplomatja amerikane nuk e ka thënë asnjë fjalë se çka kishte folur me presidentin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin e Kosovës.

Detaje nga takimi i sotëm ka bërë publike edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij Twitter, ka njoftuar për vizitën e Victoria Nuland në Kosovë si dhe takimet me zyrtarët qeveritar dhe shoqërinë civile, me të cilët bisedoi për integrimet evropiane dhe luftën kundër korrupsionit.

“Ndihmës-sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland u takua me zyrtarë qeveritarë dhe shoqërinë civile për të biseduar për integrimet evropiane dhe luftën kundër korrupsionit”, ka shkruar Delawie.

Zyra për media e Kryeministrisë, përmes një kumtese, ka bërë me dije se nënsekretarja Nuland, i përcolli kryeministrit Mustafa përshëndetjet e presidentit Obama nga Samiti Varshavës. Nuland, po ashtu, vlerësoi progresin e arritur, si dhe shprehu përkrahjen e mëtejme të SHBA për proceset në Kosovë.

Ajo, sipas kumtesës, ka theksuar rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives eurointegruese të Kosovës.

Nuland gjithashtu vlerësoi reformat e ndërmarra në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër terrorizmit si dhe shprehu përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” si dhe inkurajoi që të vazhdohet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme