Deputetët me plan për paga pas përfundimit të mandatit

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 15:08 | Nga

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po e përgatisin terrenin që pas përfundimit të mandatit të kenë mundësi të përfitojnë pagë të plotë nga shteti për tri vjet rresht.

Ideja për të përfituar pagë kalimtare për një periudhë kaq të gjatë kohore është ngritur nga anëtarë të Nënkomisionit për mandate dhe Rregullore të Punës së Kuvendit, gjatë draftimit të Rregullores së re të legjislativit.

AktivPress mëson se kjo ide e lansuar gjatë një punëtorie jashtë Prishtinës, tashmë është vënë si propozim amendament në Rregullore.

“Gjatë punëtorisë është nxjerr propozim- amendamenti i cili e përcakton që ish-deputeti, nga dita e përfundimit të mandatit, e ka të drejtë e marrjes së pagës kalimtare ekuivalente me pagën e tij bazë të mëparshme për një periudhë prej 36 muajsh, përveç nëse ai ka të ardhura të rregullta financiare nga buxheti i shtetit”, ka thënë njëri nga deputetët e pranishëm në punën e nënkomisionit parlamentar.

Aktualisht, lartësia e pagës bazë të deputetit është 1488 euro.

Kështu, nëse propozimi i ri gjënë mbështetje të gjerë në Kuvend, atëherë një deputet, për tri vjet mund të marr nga shteti jo më pas se 53568 euro.

AktivPress ka insistuar të marr një qëndrim nga kryetari i Nënkomisionit për Rregullore të Kuvendit, Armend Zemaj, por ai ka qenë i paqasshëm gjatë gjithë kohës.

Ndërkohë, deputeti Agim Ademaj anëtar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit  nga radhët e LDK-së, e ka pranuar se është biseduar për çështjen e kompensimit të deputetëve pas përfundimit të mandatit, por ka thënë se gjithçka është në fazën e propozimeve apo sugjerimeve.

“Rregullorja e Kuvendit është duke u punuar. Ky propozim nuk e ka marrë ende vizën në Komision të Legjislacionit, kështu që këto janë krejt propozime dhe sugjerime. Të shohim se si do të veprohet”, ka thënë Ademaj.

Personalisht ka thënë se është kundër një propozimi të tillë.

“Unë nuk e mbështesë propozimin që të ketë kompensim për deputetët edhe 3 vjet pas mandatit”, ka deklaruar ai.

Ndryshe prej Ademajt, deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj është shprehur me nervozizëm kur është pyetur për këtë çështje.

“Komisioni për Buxhet dhe Financa i ka këto punë. Këto çështje më shumë janë perceptime të qytetarëve dhe të gazetarëve të shërbimeve të huaja sekrete të Serbisë dhe të dreqit të mallkuar që na e kanë qit fytyrën e zezë edhe neve që po mundohemi me jetuar dhe me punuar me 1294 euro sa na dalin rrogë neve si deputetë. Rregullore financiare nuk bëjmë ne. Ne e bëjmë rregulloren e Kuvendit, siç është kjo aktuale për me përmirësu, mos me lënë hapësirë për këto keqpërdorimet që po ndodhin, për kuorum, mosprezencën e deputetëve etj”, ka thënë Çoçaj.

Mirëpo, ai nuk e ka pasur parasysh faktin se çështja e pagës kalimtare është e përcaktuar edhe me Rregulloren që është në fuqi, vetëm se tash koha e përfitimit është propozuar të zgjatet nga një në tri vjet.

“Deputetit, pas përfundimit të rregullt të mandatit, i takojnë të ardhurat mujore për periudhën prej dymbëdhjetë (12) muajve, të përcaktuara me rregullën 2.1, po qe se gjatë kësaj kohë nuk kthehet në vendin e punës, të cilin e ka pasur para zgjedhjes deputet, ose në vend tjetër të përshtatshëm për të”, thuhet në Rregulloren e punës së Kuvendit.

Deputetët e legjislaturave të mëparshme e patën rregulluar me Ligjin për Kuvendin, çështjen e përfitimit pas mandatit.

Në të ishte përcaktuar e drejta për pension suplementar, varësisht nga numri i mandateve të deputetit, mirëpo Gjykata Kushtetuese e pati pezulluar këtë të drejtë duke e cilësuar një pension të tillë si antikushtetues.

Gjatë një analize që kjo gjykatë i kishte bërë legjislacionit vendës, kishte dhënë vlerësimin se, pavarësisht se në ligj ishte përshkruar si “pension suplementar”, ai kishte shumë tipare që ngjanin si dhuratë suplementare pas punësimit, sesa si një pension suplementar tradicional.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme