Deputeti i LDK-së: Pse mos të bëhet qeveri gjithëpërfshirëse?

Prishtinë | 17 Kor 2017 | 18:48 | Nga

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përsëritur vazhdimisht se nuk futet në asnjë formacion politik pjesë përbërëse e të cilit do të ishte edhe Partia Demokratike e Kosovës, por një deputet i LDK-së, pohon se mbase është më mirë të bëhet një parti gjithëpërfshirëse, njofton Klan Kosova.

Deputeti i zgjedhur Naser Rugova pohoi se Kosova është në krizë dhe se nuk bën të lihet vendi pa qeveri.

“Nëse jemi të gjithë bashkë, dhe akordohemi të gjithë bashkë për disa reforma pse mos të bëhet një qeveri e tillë ku janë të gjithë – pasi janë sfida serioze për vendin”, pohoi Rugova.

“Mos ta lëmë vendin pa institucione dhe mos ta bllokojmë vendin”.

Naser Rugova tha se mbase koalicioni fitues PAN, s’i ka numrat, prandaj nuk thirret seanca nga Parlamenti.

“Konsideroj që nuk janë numrat, po të ishin presidenti do ta thërriste seancën dhe do të shkohej tutje”.

Megjithatë Rugova më vonë shtoi se PDK-ja ka nevojë të shkojë në opozitë. Ai ka deklaruar edhe se do të ishte e papranueshme të formohej një qeveri që do të ishte peng e votave të Listës Serbe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme