Dërgohet kërkesa për seancë të jashtëzakonshme për rastin “gylenistët”

Prishtinë | 03 Pri 2018 | 09:47 | Nga

Grupi Parlamentar i LDK-së në bashkëpunim me GP të VV-së dhe GDP-në kanë dërguar sot kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, lidhur me rastin e arrestimit të gjashtë shtetasve turq nga Policia e Kosovës dhe dëbimi i tyre për në Turqi, për siç thuhet “shkeljen e Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës lidhur me deportimin e shtetasëve turq”.

Lajmin e ka konfirmuar për “Gazeta Blic” deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Armend Zemaj, i cili ka qenë i autorizuar për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e seancës. Sipas tij, kërkesa me nënshkrimet e 40 deputetëve është dërguar sot në mëngjes në Kuvendin e Kosovës.

“Kërkesa jonë është që sot të mbahet seanca e jashtëzakonshme lidhur me rastin në fjalë, por kjo varet proceduralisht nga Kryesia e Kuvendit dhe Grupet Parlamentare nëse do të mund të përgatiten për të mbajtur këtë seancë sot”, tha Zemaj.

Deri në këto momente nuk është publikuar asnjë njoftim zyrtar nga Kuvendi i Kosovës në lidhur me mbajtjen e kësaj seance.

Kalendari i takimeve, Kuvendi i KosovësNë anën tjetër Nisma Socialdemokrate ka kërkuar hetim parlamentar për këtë çështje, pasi, sipas kësaj partie, “transparenca e plotë dhe përgjegjësia e të gjithë njerëzve të përfshirë në këtë veprim, është minimumi i asaj që duhet të bëhet urgjentisht”

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës kanë thënë të shtunën se kanë urdhëruar hetime gjithëpërfshirëse në të gjitha institucionet e përfshira në operacionin e arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve të sigurisë për aksionin e dëbimit ka premtuar se veprime të tilla më nuk guxojnë të përsëriten.

Ndërsa, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, të shtunën ka thënë se rasti po hetohet nga organet kompetente. Madje, ai ka thënë se posedon një raport të detajuar nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës (AKI), ku thuhet se arsyeja e deportimit të gjashtë shtetasve turq ka të bëjë me veprime të paligjshme në Kosovë.

Edhe Avokati i Popullit, për këtë rast ka vendosur të hapë rast Ex Officio, për të hetuar në detaje veprimet e ndërmarra nga autoritetet publike.

Aksioni i deportimit të gjashtë shtetaseve turq, që u ndërmor më 28 mars u raportua si një veprim i përbashkët i shërbimeve inteligjente të Turqisë dhe Kosovës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme