Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil: Gjatë vitit 2017 asnjëherë nuk u cenua siguria

Prishtinë | 16 Maj 2018 | 14:42 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Driton Gjonbalaj, drejtori i përgjithshëm në Autoritetin e Aviacionit Civil (ACC), tha se Kosovës gjatë vitit 2017 asnjëherë nuk i është cenuar siguria.

Gjonbalaj në Komisioni për Zhvillim Ekonomik tha se AAC ka përmbush 100% të rekomandimeve në kuadër të MSA-së dhe se ka realizuar 94% të planit, raporton Ekonomia Online.

“Siguria në Republikën e Kosovës nuk është cenuar në asnjë moment të vetëm. Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka në përgjegjësi garantimin e sigurisë së aviacionit, të gjitha masat për të garantuar pajisje me standardet ndërkombëtare siç janë licencim, certifikim, ndriçim etj. MPB-ja është përgjegjëse për mbrojtjen e aviacionit civil nga ndërhyrjet kriminale me qëllim të dëmtimit të punës”.

“AAC ka kontribuar në funksionimin e mirë të aviacionit civil në kuadër të përgjegjësive të institucioneve tjera. MI ka ndihmuar në hartimin e strategjisë për zhvillimin e aviacionit, zgjatjen e pistës, në marrëveshjen e nënshkruar me Britaninë e Madhe, ka punuar një dokument për mundësitë e anëtarësimit Kosovës në organizata ndërkombëtare të aviacionit civil”.

“AAC ka përmbush 100% planet e veta në kuadër të MSA-së. Planin e punës e kemi realizuar në 94%, kemi hartuar planin e sigurisë, kemi arritur t’i mbyllim disa hendeqe si mungesa rregullore, mungesë koordinimi. 96% ka qenë realizimi i buxhetit vitin e kaluar”.

Ai poashtu tha se beson se me liberalizimin e vizave do të zbritet çmimi i biletave.

Gani Dreshaj, anëtar i komisionit nga AAK-ja ka theksuar se Kosova sa i përket kësaj fushe nuk ka parking afatgjatë në aeroport.

“Nuk ka parking afatgjatë për të qëndruar në aeroport”.

Gjonbalaj tha se AAC nuk ka mundësi të ndërhyjë në çështjen e parkingut sepse sipas tij, kjo varet nga marrëveshja e koncesionit.

“Parkingu afatgjatë është çështje me rëndësi, në marrëveshjen e koncesionit tarifat komerciale që nuk lidhen me shërbimet të ofruara nga aeroporti janë në diskrecion me aeroportin. AAC nuk ka mundësi të ndërhyjë në këtë çështje”.

Mimoza Kusari Lila, nga Alternativa ka theksuar se sa është e vërtetë që kalimi i sistemeve të sigurisë i personave të armatosur deri në aeroplan ka qenë i mundur.

“Në raport janë theksuar çështjet e sigurisë, ka qenë publike se kalimi i sistemeve të sigurisë i personave të armatosur ka qenë i mundshëm. Sa është adresuar kjo çështje, sa ka të vërtetë, a mendoni se në rast të një realiteti të një personi të armatosur sa janë gjasat që ai person i armatosur me arrit deri në aeroplan”, ka thënë Kusari-Lila.

Gjonbalaj këtë e ka arsyetuar duke thënë se  janë bërë prova se sa Kosova arrin që të shmang rreziqet që cenojnë sigurinë.

“Mbrojtja e aviacionit nga aktet e ndërhyrjes së paligjshme është MPB-ja. Ata kanë një divizion për sigurimin e aviacionit. Nga praktikat ndërkombëtare këta janë mekanizma që përdor shteti për të siguruar aviacionin në Kosovë”.

“Ai ka qenë një provë për të parë sigurinë e aviacionit,janë profesionistë ata njerëz dhe janë të trajnuar për atë punë, janë pjesëtarë të njësive speciale, këto prova ndodhin në çdo aeroport në botë, testet infiltruese janë të suksesshme ku shteti i sheh hendeqet dhe merr masa. Këto prova rrallë që dalin në publik, se di pse është me rëndësi të dalin këto në publik, nëse dalin në publik është shqetësuese për qytetarët dhe është e keqe për AAC”, ka thënë Gjonbalaj.

Dreshaj ngriti çështjen e funksionalizmit të aeroportit të Gjakovës sidomos gjatë verës, në mënyrë që pasagjerët mos të aterojnë në vende të rajonit por në Kosovë.

Gjonbalaj tha se në momentin kur aeroplanët nuk mund te aterojnë në Prishtinë, ata aterojnë në aeroporte alternative të rajonit.

Ai shtoi se për funksionaliziminin e aeroportit të Gjakovës duhet një siguri financiare.

“Kur nuk munden të aterojnë në Prishtinë, avionët aterojnë në aeroporte alternative. Lajm i mirë është që qeveria e Kosovës ka nënshkruar një kontratë për pajisjen me instrumente për fluturim më të lehtë, me implemtimin e këtij projekti avionët mund të fluturojnë në dukshmëri të vogël, me këtë kemi konstatuar se nuk do të ketë asnjë anulim për shkak të mjegullës”.

“Funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës, nuk e kemi kompetencë, një nga kriteret për certifikim të një aeroporti është një biznes plan, dhe një siguri financiare për të cilën nuk mundemi të vendosim ne”, ka thënë Gjonbalaj.

Mimoza Kusari Lila, iu drejtua Dreshajt duke i thënë se përgjegjës për mosfunksionalizimin e këtij raporti është Qeveria e Kosovës gjegjësisht kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, prej të cilëve duhet të kërkohet llogari.

Lexo më shumë:

Të ngjashme