E çuditshme, kosovarët presin më së shpejti të anëtarësohen në BE

Prishtinë | 11 Dhj 2017 | 19:34 | Nga

Bashkimi Evropian dëshiron të bëjë me dije se ende interesohet për Ballkanin, por jo të gjitha shtetet e këtij rajoni e ndiejnë dashurinë.

Brukseli është akuzuar për vite se nuk po i kushton shumë vëmendje gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që dëshirojnë të anëtarësohen në bllok. Pasi mori postin më 2014, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, deklaroi se BE nuk do të pranojë asnjë anëtar të ri gjatë mandatit të tij pesë vjeçar.

Por, në muajt e fundit, BE-ja ka rikthyer interesimin në Ballkan, pasi u alarmua për përpjekjet ruse për të rritur ndikimin atje dhe duke i çorientuar marrëdhëniet mes disa vendeve në rajon që ishte përfshirë nga lufta disa dekada më parë, raporton “Politico”.

Liderët e BE-së kanë nisur të çojnë sinjale se rruga për në Bruksel është ende e hapur. Juncker, në adresimin e tij të muajit shtator, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në fjalimin e tij të madh që paraqiti vizionin e tij për të ardhmen e Evropës, theksuan se blloku duhet të jetë i hapur për anëtarë të rinj nga Ballkani perëndimor.

Brukseli nuk pret që të gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor – Shqipëria, Bosnja e Hecegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia – të hyjnë në BE në të njëjtën kohë, nëse do të hynin ndonjëherë. KE madje i ka shpallur Serbinë dhe Malin e Zi si “liderë” dhe synon t’i ketë ata anëtarë deri më 2025, e ndoshta edhe më herët, transmeton Koha.net.

Fokusi në këto dy vende ka nxitur alarm, konfuzion dhe zemërim mes vendeve tjera të papërfshira në grupin udhëheqës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se Serbia po merr trajtim preferencial sepse ka luajtur me mundësinë e afrimit me aleatin e saj tradicional, Rusinë.

“Beogradi ka përfituar shumë nga luajtja e kartës së alternativës – dhe ajo është Moska, Rusia… Mesazhi ndaj rajonit tonë duhet të jetë i qartë, pa standardet të dyfishta”, ka thënë Haradinaj në një intervistë gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel.

Haradinaj, që tha se shpreson se Qeveria e tij do të paraqes aplikacionin për anëtarësim në BE në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, deklaroi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në të njëjtën kohë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se strategjia e “liderëve” mund të jetë islamofobe sepse i vendos vendet me popullatë substanciale myslimane më poshtë në rangim sesa shtetet e krishtera-ortodokse.

Vendet tjera kanë qenë më pak kritike por e kanë bërë të qartë se strategjia e re, së paku, çon në konfuzion.

Janina Suela, ambasadorja shqiptare në BE, ka thënë se sinjali i Junckerit ndaj rajonit me fjalimin e tij në Gjendjen e Unionit ka qenë “shumë i vlerësuar”, por letra përcjellëse për strategjinë e liderëve “ka shkaktuar disa brenga”, transmeton Koha.net.

“Duke parë këtë dokument, ne pyetëm ‘Për çfarë bëhet fjalë këtu?’ Ajo që kishim nevojë ishin sqarimet”, tha ajo.

Ndërkaq, Komisioni ka thënë se identifikimi i Serbisë dhe Malit të Zi si liderë thjeshtë reflekton faktin se ato janë vetëm dy prej gjashtë vendeve që kanë nisur negociatat për anëtarësim. Por diplomatët rajonalë janë të brengosur se dyshja do të përfitojë tani hisen e luanit të vëmendjes së Brukselit.

“Gara pozitive”

Duke e mbrojtur strategjinë e BE-së, Johannes Hahn, komisioneri Evropian përgjegjës për zgjerimin, tha se kjo stimulon rivalitet të shëndosh mes vendeve që t’i zbatojnë reformat e nevojshme për anëtarësim në BE.

“Ne kemi një garë pozitive mes tyre, po e shohin njëri-tjetrin me xhelozi”, tha ai për POLITICO.

Komisioni po ashtu po përgatitet të rekomandojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë e ndoshta edhe me Maqedoninë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, sipas Hahnit, ndonëse tha se kjo do të ndodhë vetëm nëse do të sigurohej se qeveritë e BE-së do të merrnin propozimet pozitivisht, transmeton Koha.net.

Edhe Serbia është përballur me pengesa në rrugën e saj për anëtarësim nga Kroacia, armiku i saj i kohës së luftës nga vitet e ’90-ta dhe anëtar i BE-së që nga viti 2013.

Serbia përballet edhe me një problem tjetër të madh – marrëdhënien e saj me Kosovën. Beogradi vazhdon ta trajtojë territorin e saj me shumicë shqiptare si provincë të veten, pavarësisht se më 2008 Kosova shpalli pavarësinë.

Edhe Kosova përballet me probleme të ndërlidhura me statusin e saj ligjor. Pesë nga shtetet anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën shtet të pavarur, duke e bërë shumë të vështirë pranimin e statusit kandidat për anëtarësim në BE, e aq më pak anëtare.

Në një tjetër trashëgimi nga ndarja e Jugosllavisë, një marrëveshje që do t’u jepte kosovarëve regjimin e lëvizjes pa viza në BE, është futur në sirtarë pasi parlamenti i Kosovës nuk po arrin të mbledh vota të mjaftueshme për ta votuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“E kemi mësuar mësimin”, tha Hahn, duke iu referuar mosmarrëveshjes kufitare mes Sllovenisë dhe Kroacisë që ende vazhdon, ani se të dyja janë anëtare të BE-së. Ne sot jemi shumë të qartë se konfliktet kufitare duhen zgjidhur para pranimit në BE

Të ngjashme