Epitetet e presidentëve, nga Ibrahim Rugova deri te Hashim Thaçi

Prishtinë | 13 Dhj 2016 | 14:54 | Nga

Kosova në historinë e saj të shkurtër deri tani ka pasur pesë presidentë. I pari dhe më emblematiku, mund të cilësohet Ibrahim Rugova, i cili këtë post e mbajti atëherë kur Kosovën si shtet e njihte vetëm Shqipëria, dhe pas çlirimit, në kohën e administrimit nga UNMIK-u, por jo kur vendi shpalli pavarësinë e cila u njohë ndërkombëtarisht nga vendet më të fuqishme të botës me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

24 vite më parë kosovarët për herë të parë përdorën të drejtën e votës për të zgjedhur udhëheqësit e tyre. Në zgjedhjet parlamentare dhe në zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale të 24 majit, u zgjodh kryetari i parë i Republikës së Kosovës, shtet ky paralel, pasi vendi ishte i okupuar nga Serbia.

IBRAHIM RUGOVA – Gandi i Ballkanit dhe Presidenti Historik

Presidenti Ibrahim Rugova ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike gjithë popullore në Kosovë, që udhëhoqi popullin e Kosovës drejt rrugës për Liri, Pavarësi e Demokraci, e cila më vonë do të transformohej në Parti Politke.

Rugova ishte kryetar i saj që nga themelimi më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur ndërroi jetë. Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin serb dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Europa.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur Gandi i Ballkanit dhe Presidenti Historik.

Konsiderohej Gandi i Ballkanit, sepse nëpërmjet paqes dëshironte të zgjidhte një çështje të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, për liri dhe pavarësi nga Serbia, e cila në atë kohë udhëhiqej nga shovenisti Slobodan Milosevic.

President Historik, ngase e mbajti këtë post në dy periudha vërtetë historike të Kosovës. Gati për rreth një dekadë kur Kosova ushtronte jetë paralele institucionale, derisa ndodhej nën pushtimin e Serbisë, dhe pas çlirimit, derisa ndërroi jetë në vitin 2006, vetëm dy vite para shpalljes së pavarësisë.

Edhe pse posti i presidentit ishte ceremonial, dhe Rugova fitonte zgjedhjet me mbi 50 për qind të votave në nivel vendi, ai nuk preferonte ta ndërronte atë me postin më të fuqishëm në praktikë, që ishte ai i kryeministrit, të cilin një herë ja dha PDK’së, dhe herën tjetër AAK’së.

Presidenti i ndjerë, ishte zgjedhur në atë detyrë me 24 maj të vitit 1992 në të cilin shërbeu deri në vdekjen e tij me 21 janar të vitit 2006. Për herë të parë pas çlirimit Rugova u zgjodh president në vitin 2002, dhe më pas edhe në vitin 2004.

Megjithëse presidenti Rugova nuk arriti të përjetoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, atë e bëri një bashkpartiak dhe bashkëpunëtor i tij, Fatmir Sejdiu.

FATMIR SEJDIU – Presidenti i pavarësisë dhe viktima e Gjykatës Kushtetuese

Pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, postin e presidentit të Kosovës e mori Fatmir Sejdiu, i cili konsiderohej si nga bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit të ndjerë. Sejdiu ishte edhe njohës i mirë i historisë së shtetit, në aspektin politik e juridik, njëherazi ishte edhe njëri nga tre anëtarët e hartimit të Kornizës Kushtetuese të Kosovës.

Presidenti Sejdiu u zgjodh president i Kosovës në shkurt të vitit 2006, dhe u rizgjodh në këtë post në janar të vitit 2008, me mandat pesë vjeqar.

Mirëpo, presidenti Sejdiu, u detyrua të jap dorëheqje nga posti i presidentit, pasi Gjakata Kushtetuese e vendit konstatoi se ai kishte shkelur Kushtetutën, duke mbajtur dy poste; atë të kryetarit të LDK-së, dhe postin e presidentit të shtetit.

Njihet si presidenti i pavarësisë, për arsye se Kosova arriti të fitojë pavarësinë, gjatë kohës kur Sejdiu ishte president.

BEHGJET PACOLLI – Presidenti më “jetëshkurtër” , i zgjedhur duke marrë votat me zor

Kosova prej disa muajsh ndodhej në një situatë politike të pakëndshme, nëse nuk duam të përdorim termin shpesh të padëshiruar “krizë”. Pas dorëheqjes së Presidentit Sejdiu u kalua në zgjedhje parlamentare të parakohshme, u konstituua një kuvend me pak forcë në maxhorancë dhe me opozitë të gjerë e me kontestime që në ditët e para.

President, pa pëlqimin e opozitës e edhe me mospajtime brenda vetë partisë që e kishte propozuar, PDK’së, u zgjodh Behgjet Pacolli, që qëndroi në detyrë vetëm 35 ditë, jo për faj apo përgjegjësi të tij, por për shkelje kushtetuese të kryera nga Kuvendi. Dhe ai u largua i përgjegjshëm e vullnetplotë për të kapërcyer krizën. Dikush thoshte “krizë politike”, dikush “krizë institucionale”, dikush edhe e quajti një “situatë normale demokratike që do të kapërcehej”.

Nga të gjithë njihet si presidenti më jetëshkurtër, kjo për arsye se që qëndroi në detyrë vetëm 35 ditë.

ATIFETE JAHJAGA – Presidentja e parë femër në Ballkan, njihet si “presidentja e zarfit”

Si çdo herë gjatë krizave politike në Kosovë, edhe kësaj here për t’i dhënë zgjidhje situatës, duhej intervenimi i Ambasadës Amerikane.

LDK, AKR dhe PDK u gjunjëzuan përballë këmbënguljes dhe autoritetit të ambasadorit amerikan Cristopher Dell.

Zgjedhja e Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga u pa si evitim i krizës politike, dhe ardhja në krye të shtetit e një personi që nuk i përkiste asnjë partie politike.

Atifete Jahjaga si femra e parë presidente e Kosovës kishte marrë detyrën më 7 prill të vitit 2011 në të cilën shërbeu për pesë vite të plota deri më 7 prill të vitit 2016. Ajo njihet si ‘Presidentja e Zarfit’ për shkak se është zgjedhur nga marrëveshja e partive politike PDK­-LDK­-AKR, dhe emri i saj është nxjerrë nga një zarf të cilin e ka dërguar ambasadori i atëhershëm i SHBA­ve në Kosovë, Christopher Dell. Është Presidentja e parë që nuk ishte pjesë e ndonjë subjekti politik por ishte e pavarur, si dhe presidentja e parë që e ka mbajtur mandatin e plotë 5 vjeçar.

HASHIM THAÇI – President i zgjedhur mes molotovit e protestave

Pas Atifete Jahjagës, Hashim Thaçi zgjidhet President i Kosovës mes protestave dhe molotovit të partive opozitare.

Ai u zgjodh presdident në një krizë të gjatë politike, protestash të shumta e kundërshtimesh.

Derisa po zhvilloheshin raundet e votimeve, jashtë parlamentit, policia përdori gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish që hodhën shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

Megjithatë protesta e mbështetësve të opozitës vijoi jashtë Kuvendit, ku menjëherë pas zgjedhjes së Thaçit President Prishtina u vu në flakë. Ata hodhën bomba molotov ndaj godinës së Kuvendit, ndërsa nuk ndalën sulmet edhe pranë shtëpisë së kryeministrit Mustafa.

Si dhe të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve në atë ditë. Opozita u hodh në protesta në parlament dhe jashtë tij për të kundërshtuar marrëveshjet e arritura para një gjysmë viti për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shënimin e kufirit me Malin e Zi. (GazetaMetro)

Të ngjashme