Fajon: Vizat për kosovarët në duart e përfaqësuesve të tyre

Prishtinë | 21 Shk 2017 | 13:57 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka takuar eurodeputeten, njëherësh raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon.

Lidhur me këtë, eurodeputetja Fajon, ritheksoi se, për liberalizimin e vizave, Kuvendi duhet të ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, raporton Ekonomia Online.

Ajo bëri thirrje që procesi i demarkimit të kufirit të përfundojë, sepse, sipas saj ky është kusht i patejkalueshëm për BE-në.

Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Fajon, gjatë një prononcimi për media ka thënë se lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës nuk varet nga ajo, por nga deputet e Kosovës.

“Liberalizimi i vizave dhe këto çështje nuk janë në dorën time, krejt kjo është në dorën e anëtarëve të Parlamentit të Kosovës”, ka thënë Fajon.

Në anën tjetër kryetarja e këtij komisioni Njomza Emini është shprehur që korrupsioni dhe ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit vazhdojnë të jenë kushtet kryesore për liberalizimin e vizave. Kushte këto që komisioni evropian i ka vënë Kosovës.

“Janë dy kushtet kryesore që po I kërkon Bashkimi Evropian. Intensifikimi për punën e përbashkët kërkuam këshilla dhe rekomandime, sa I përket ratifikimit të demakracionit me Malin e Zi”, ka thënë Emini.

Ajo vazhdoi duke thënë se kushti I dytë e që sipas saj është korrupsioni merr kohë dhe se vetëm Kosova nuk është e përfshirë në këtë dukuri

“ Neve na është thënë në Bruksel që Kosova ka dy kushtet kryesore, normal kushti i dytë që ju e dini që luftimi i korrupsionit është një proces që zgjatë dhe nuk është një proces që vetëm vendi ynë është i përfshirë, dhe nuk mund të zgjidhet për një vit ose dy po kjo kërkon kohë”, ka thënë Emini.

Ky takim ishte i mbyllur për media por sipas kumtesës së kuvendit të Kosovës, gjatë takimit deputetët e opozitës kanë treguar hapur se janë kundër marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Fajon sipas kësaj kumtese u ka premtuar deputetëve anëtarë të këtij komisioni se të gjitha rekomandimet të cilat ata i kanë paraqitur do t’i adresoj drejt parlamentit evropian.

Të ngjashme