Fisnik Ismaili thotë se ende nuk është publikuar logoja e plotë e PSD-së

Prishtinë | 09 Maj 2018 | 11:23 | Nga

Mbrëmë deputetët e dalur nga Lëvizja Vetëvendosje nisën një aksion të përbashkët të ndërrimit të fotografive të profilit në facebook, duke i zëvendësuar me një logo të re që aludohej se me të do të identifikohej PSD-ja.

Mirëpo, sot deputeti Fisnik Ismaili ka sqaruar se kjo foto nuk e paraqet logon e plotë të PSD-së por një pjesë të saj.

Ai lajmëroi se në Konventën e Partisë e cila do të fillojë në orën 17:00 do të bëhet e ditur logo-ja me të cilën do të përfaqësohet partia.

Deputeti Fisnik Ismaili njëherësh përmes një postimi në “Facebook” e përqeshi logon e “shpisë” së tij të vjetër Vetëvendosjes, duke thënë se është logoja më e shëmtuara në Evropë dhe ka një font të vjedhur nga interneti.

“Çohet njeri e poston nji vizatim, lladikat as pa e dijtë çka asht, kujtojnë se asht llogo, edhe nisin me e vlerësue, hej! Ani kush me e vlerësue? Dashamirët e subjektit politik me logon ma të shëmtueme në Evropë, e cila përbëhet nga një fjalë e shkrueme në një font të vjedhun në internet, pa e modifikue hiç, pa pikë simbolike, pa pikë kreativiteti, të cilën sa herë e kqyrë të frymëzon me e grrithë naj kerr, thye naj xham ose futë sprej me e flliqë naj mur”, thekson Ismaili.

Ky erdhi pas “talljeve” të deputetit të VV-së Liburn Aliut. Ai në mënyrë ironike kishte thënë “Logo në stilin “Buqkurush””.

“Më pëlqeu posaçërisht komenti i Liburn-it mbramë. Liburn, s’asht logo. Ash veç nji copëz e asaj që ke me e pa sot, kur të publikohet logo, e cila ka me të ardhë mërzi që është ma e bukur, ma simbolike, ma domethanëse edhe ma kreative se e subjektit tand, edhe s’asht me font të vjedhun, por prapë prej inatit ke me e lëshue edhe naj koment palidhje, me kallxue që s’merr erë ne këtë fushë, qysh s’ke marrë kurrë”, shtoi ai.

Ai gjithashtu ka ofenduar ish-partiakët e tij.

“O lladika, me një foto profili, që as nuk pe dini se çka është, po ju baj me folë tanë natën palidhje. Po ju qes në pah mosdijen edhe analfabetizmin, qysh ia qitsha ktynehere militantëve debilla të Hashimit, nga të cilët s’jeni kah dalloni hiç kohëve të fundit. E tani po çuditeni pse hallki po ikin prej Vetëvendosjes. Sigurisht se po e bani shumë krenar Albinin me komentet e jueja, posaçërisht ato fashiste drejtue LGBT-së, pamjeve fizike të atyne që kanë dalë, e plot komenteve tjera raciste që po i bani vazhdimisht. Kjo është sigurt formula e fitores së subjektit tuej. Partitë tjera po dini me i kritikue që po hyjnë e dalin në koalicione me PDK-në, a që jeni tuj u shndërrue vetë në PDK, as s’jeni tuj e pa!”, ka shkruar ai.

Ideatori i Newborn-it, Fisnik Ismaili premtoi se logo-ja që do të publikohet sot sipas tij do të iu pëlqej të gjithve. “U knaqa, more, me vëmendjen që po e krijoj me nji foto profili. Po coverin me e ndrrue, po u qartshi krejt. Logo publikohet sot. E di që ka me ju pëlqye, keni me plasë.”, ka përfunduar Ismaili.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme