Fletarrestet, një arsye shtesë për ndërprerjen e dialogut me Serbinë

Prishtinë | 10 Jan 2017 | 13:05 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pozita dhe opozita kundërshtojnë ashpër arrestimin e Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze, i cili u bë në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia.

Deputetët e të dyja taborëve thonë se fletarrestet e lëshuara nga Serbia, janë edhe një arsye shtesë që dialogu në Bruksel të rishikohet, por nuk kanë përjashtuar edhe mundësinë e ndërprerjes së menjëhershme.

Pal Lekaj, Shef i Grupit parlamentar i AAK-së për EkonomiaOnline tha se Kosova duhet të bëjë kërkesë urgjente për mënjanimin e fletarresteve të lëshuara nga Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës.

Lekaj është i mendimit që bisedimet me Serbinë duhet të ndërpriten.

“Bisedimet me Serbinë duhet të ndërpriten dhe njëherësh t’i themi Serbisë se nuk guxon të përzihet në punët e brendshme dhe qytetarët e Kosovës dhe se qeveria duhet të jetë e gatshme që të implementojë rezolutën. Qeveria ka qenë neglizhence ndaj këtij drejtimi dhe duhet sa më parë të bëjë kërkesë edhe në Shqipëri që të debatojë për shlyerjen e atyre listave”, ka thënë për agjencinë e lajmeve EkonomiaOnline Lekaj.

Aida Dërguti nga Lëvizja Vetëvendosje njëherësh edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, tha se ndalimi i Haradinaj është edhe një arsye shtesë për ndërprerjen e bisedimeve, pasi sipas saj, ka shumë arsye tjera për ndërprerjen e këtyre bisedimeve.

“Ndalimi i Haradinaj na tregon rezultatin e këtyre bisedimeve të cilat janë bisedime shterpë të cilat si rezultat kanë pasur një varg marrëveshje të cilat kanë qenë në dëm të Kosovës, e që asnjëherë nuk janë respektua e zbatuar nga Serbia”, tha ajo.

Kurse deputeti i NISMA-së për Kosovën, Zafir Berisha, tha se ndalimi i Haradinaj tregon agresionin e shtetit serb ndaj Kosovës, duke thënë se është koha që bisedimet me Serbinë të rishikohen.

“Ndalimi i Ramush Haradinaj duhet të jetë shkasi kryesor që bisedimet mes shtetit të Kosovës dhe atij serb duhet të ndalohen dhe të ndryshohet qasja e bisedimeve  nga ajo që ka pasur deri tash”
Por përkrah këtyre mendimeve qëndrojnë edhe deputetët e pozitës.

Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se ndalimi i Haradinaj është i dënueshëm, i papranueshëm për sistemin politikë të Kosovës.

Ndërsa shtoi si këto probleme po ndodhin si rezultat i formatit aktual të bisedimeve me Serbinë.

“Çështja e bisedimeve është shumë specifike, sepse ka shumë më shumë arsye tjera për të ndërprerë ose që të strukturohen bisedimet me Serbinë se sa kjo. Kjo është njëra prej temave të cilat duhet të trajtohet, por ka edhe probleme tjera që Serbia po i sjell Kosovës dhe si rezultat i këtyre duhet të rishqyrtohen bisedimet me Serbinë”, tha Gashi.

Kurse deputeti i partisë më të madhe në vend, PDK-së, Nait Hasani tha se qeveria e Kosovës nuk është dashur të pret këtë seancë, por që sipas tij është dashur të reagojë më herët.

“Në Bruksel nuk kemi njerëz që mund të diskutojnë, debatojnë dhe përfaqësojnë denjësisht Kosovën prandaj e kemi këtë gjendje”.

Sa i përket ndërprerjes së bisedimeve me Serbinë Hasani tha se “duhet të krijohen qëndrime të reja në bazë rrethanave politike që janë krijuar, e kjo do të thotë edhe ndryshim i qasjes në raport me Serbinë ”.

Për rastin e ndalimit të Haradinajt edhe Kuvendi Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme me qëllim të votimit të një rezolute me anë të së cilës do të kërkohet lirimi i liderit të AAK-së.

Të ngjashme