Fletarrestet politike

Prishtinë | 14 Jan 2017 | 09:07 | Nga

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, janë 20 ish-guerilë të dalluar të UÇK-së që kërkohen nga INTERPOL-i me kërkesë të Serbisë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Fletarrestimet ndërkombëtare të Serbisë për ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të mos zbatohen nëse institucionet e Kosovës e dialogojnë në nivele bilaterale me secilin shtet anëtar të INTERPOL-it apo duke bërë presion te Bashkimi Evropian që ta obligojë Serbinë t’i tërheqë këto fletarrestime.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë dhe ata të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ekzekutivi i vendit nuk ka dhënë sqarime se çfarë do të bëjë konkretisht për të mos u përsëritur rastet e arrestimeve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shtetet evropiane me kërkesë të Serbisë.

Në anën tjetër, opozita konsideron se Qeveria e Kosovës duhet ta kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Serbinë me largimin e këtyre fletarrestimeve.

Çështja e fletarrestimeve nga Serbia është aktualizuar pasi ish-kryeministri i Kosovës dhe njëri nga komandantët më në zë të UÇK-së Ramush Haradinaj u arrestua nga autoritetet franceze.

Ai u arrestua në bazë të një fletarrestimi, të lëshuar nga Beogradi, që përfshin periudhën e luftës.

Është hera e dytë që Haradinaj ndalohet me fletarrestim të Serbisë. Ndërsa para tij janë ndaluar edhe ish-komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, dhe disa ish-guerilë të UÇK-së.

Kjo çështje tanimë ka marrë përmasa shqetësuese, sidomos pas faktit se autoritetet serbe po e kërkojnë ekstradimin e Ramush Haradinajt në Beograd.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme