Formimi i qeverisë, PAN-i pritet të “peshkojë” tek partitë tjera

Prishtinë | 13 Qer 2017 | 13:55 | Nga

Një qeveri e përkohshme nuk i duhet qytetarëve, por një qeveri me shumicë për të çuar vendimet dhe proceset e shtetit përpara. Kështu vlerësojnë analistët vendorë në një prononcim për Telegrafin.

Dardan Gashi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se situata e krijuar është situatë e njëjtë si ajo e para tri viteve.

Ai tha se edhe nëse formohet qeveria do të jetë një qeveri jo shumë stabile.

“Po kthehemi në situatën që kemi qenë para tri viteve. Sa i përket formimit të qeverisë ky proces është i komplikuar si atëherë/ Por, edhe nëse formohet qeveria do të jetë një qeveri jo shumë stabile. Përndryshe në këto zgjedhje fitues është Vetëvendosje”, tha ai duke shtuar se në këto zgjedhje u pa që qytetarët janë pakënaqur me koalicionin e kaluar që kanë qenë në qeverisje.

”Votuesit janë të pakënaqur”, tha ndër të tjera Gashi.

Sa i përket mundësisë së koalicionit të subjektit PAN – Vetëvendosje, ai tha se Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e koalicioni me subjektin PAN.

“Por kur e shohim me të kaluarën tonë atëherë shohim që edhe LDK ditën e fundit pati bërë koalicion me PDK-në”, shtoi ai.

Ndërsa Imer Mushkolaj, në prononcim dhënë për Telegrafin tha se zgjedhjet kanë prodhuar rezultat të atillë që ia pamundësojnë secilit subjekt që i vetëm të krijojë qeverinë.

Sipas tij, në lojë për krijimin e qeverisë janë disa kombinatorika, por gjithçka varet nga qëndrimi i koalicionit rreth LDK-së.

“Natyrisht, PAN do të provojë të ‘peshkojë’ deputetë sa për të siguruar shumicën e thjeshtë, por dilema mbetet nëse vendit i duhet një qeveri me shumicë të brishtë, ndërkohë që zgjedhjet e parakohshme u provokuan pikërisht për të pasur një shumicë e cila, siç thuhej, do të mund t’i çojë përpara çështjet e mëdha”, tha Mushkolaj.

Ndryshe, në bazë të rezultatit preliminar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, ka fituar 34 për qind të votave, pasuar Lëvizja Vetëvendosje me 27 për qind, kurse në vendin e tretë është koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.7 për qind të votave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme